Kryeministri Edi Rama ka publikuar në mëngjesin e sotëm pamjet e autostradës Tiranë-Durrës, e cila i është nënshtruar rikonstruksionit dhe pritet të jetë e hapur për qarkullim pas disa muajsh. Ajo do të ketë 4 korsi në secilën anë dhe pritet t’i japë zgjidhje trafikut në këtë aks.
“Një aks me kushte dhe parametra tërërisht europiane të sigurisë rrugore si edhe me të gjithë elementët e tjerë të mobilimit urban, ndriçim, gjelbërim për t’iu përshtatur më së miri zonave të banuara që përshkon”, shkruan Edi Rama.
Autostrada Tiranë-Durrës dhe anasjelltas është një ndër nyjet më të rëndësishme rrugore në Shqipëri, e cila me rritjen e numrit të turistëve dhe përdoruesve të mjeteve në tërësi, ka nevojë për ndërhyrje.
Me ndërhyrjet e planifikuara në tabanin e këtij aksi, gjerësia planifikohet të shkojë në 35.1 metra, nga 18.6 metra që është aktualisht, sepse do të ndërtohen nga dy korsi për çdo krah. Në total, autostrada do të ketë 4 korsi në drejtim të Durrësit dhe 4 në drejtim të Tiranës.
Shpejtësia e lejuar do të jetë 140 km/h, nga 90 që është aktualisht. Në segmente të caktuara të autostradës, shpejtësia e lejuar është edhe më e ulët.
Zgjerimi i Tiranë-Durrës pritet ti kushtojë buxhetit të shtetit plot 298.8 milionë euro, ndërsa paralelisht do të punohet dhe për rehabilitimin e plotë të rrugës dytësore Tiranë-Ndroq-Plepa, që mund të shërbej si alternative nëse autostrada Tiranë-Durrës bëhet me pagesë.