Eurodeputetët ekstremistë grekë kërkojnë nga Bashkimi Europian që të heqë Shqipërinë dhe Kosovën nga regjimi i patatueshëm për frutat dhe perimet me arsyetimin se po dëmtohen fermerët grekë, që kanë një kosto më të lartë prodhimi.
Kërkesa është bërë nga deputeti Emmanouil Fragkos, pjesë e partisë ekstremiste “Zgjidhja greke”.
“Në një kohë që recesioni mbarëbotëror përshkallëzohet dhe ka nisur të ketë ndikim edhe në tregun e fruta-perimeve, vendimi për të zgjatur regjimin e taksimit të preferuar për vendet e Ballkanit Perëndimor, si shembull, importi (në BE) pa taksa i frutave dhe perimeve nga Shqipëria, Shkupi, Kosova dhe Bosnje-Herzegovina ka një ndikim negativ tek prodhuesit grekë.
Kostoja e ulët e prodhimit nga rrogat më të ulta dhe mungesa e cilësisë dhe kontrollit i bëjnë këto vende me konkurruese në treg përballë fermerëve grekë”, thotë eurodeputeti grek.
Regjimi pa taksa i fruta-perimeve nga vendet e Ballkanit Perëndimor është në fuqi prej vitit 2000 dhe në shkurt të këtij viti, BE vendosi që ta zgjasë atë deri në vitin 2025. Fragkos e cilëson të gabuar këtë vendimmarrje dhe kërkon prej Komisionit që të kompensojë fermerët grekë për humbjet e tyre.
Në shqetësimin e eurodeputetit ekstremist grek vihet re se në listën e vendeve që ai përmend mungon Serbia, që gjithashtu gëzon të njëjtat lehtësi si Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut dhe për më tepër në rajon është ndër eksportueset kryesore të fruta-perimeve në BE.
Komisioni i është përgjigjur me një “Jo” të prerë, duke nënkuptuar se ky regjim do të qëndrojë në fuqi të paktën deri në vitin 2025, ashtu siç u vendos në muajin shkurt.
“Zgjatja e këtij regjimi mori mbështetjen e Parlamentit dhe të Këshillit Europian. Komisioni nuk vëren asnjë ndikim negativ nga ky vendim për shkak të sasisë modeste të importeve nga Ballkani Perëndimor dhe kujton se në total, BE ka një surplus domethënës tregtar me rajonin”, thotë KE.
Ballkani Perëndimor eksporton fruta dhe perime në Bashkimin Europian në një total prej rreth 17.2 miliardë euro në vit. Shqipëria zë një pjesë të vogël, as 400 mln euro në këtë pjesë.(SI)