Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Kasanof thotë se në takimet që ai pati gjatë vizitës në Tiranë, ka vënë theksin te rëndësia që ka sundimi i ligjit duke nënvizuar se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Lidhur me zhvillimet në Kosovë, zoti Kasanof shprehet se nuk mund të bëjë komente mbi qëndrimiet e administratës së ardhshme
Berisha non-grata, Alexander Kasanof për VOA-n: Përcaktim për të ndihmuar reformën në drejtësi dhe SPAK
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof, thotë se “çështjet që ndjek SPAK do të arrijnë kudo ku të çojnë provat”. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Kasanof thotë se në takimet që ai pati gjatë vizitës në Tiranë, ka vënë theksin te rëndësia që ka sundimi i ligjit duke nënvizuar se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Lidhur me zhvillimet në Kosovë, zoti Kasanof shprehet se nuk mund të bëjë komente mbi qëndrimiet e administratës së ardhshme
Zëri i Amerikës: Zoti Kasanof, kjo është vizita juaj e parë në Shqipëri, që pas marrjes së detyrës. A mund të ndani me ne cilat ishin çështjet kryesore të diskutuara me autoritetet shqiptare?
Alexander Kasanof: Së pari, Armand, është kënaqësi të jem me ju sot. Faleminderit për ftesën në programin tuaj. Dëshiroj të them se është kënaqësi e madhe të jem këtu në Tiranë. Është vërtet vizita ime e parë këtu, por nuk mund të isha më i lumtur që e bëj këtë vizitë të rëndësishme në një kohë të rëndësishme. E dini, bëjmë shumë në partneritet me Shqipërinë.
E mbështesim qeverinë dhe reformat që ajo po ndjek në rrugën për anëtarësimin në BE saqë mendova se ishte e rëndësishme t’i kushtoja një udhëtim më vete Shqipërisë, në detyrën time të re, siç e përmendët, për t’u siguruar që të kishim mundësinë të bisedonim me qeverinë si dhe njerëz jashtë qeverisë dhe për të shprehur mbështetjen tonë për reformat në vazhdim, sidomos në sundimin e ligjit dhe sektorin e gjyqësorit si dhe mbështetjen tonë për pavarësinë dhe misionin e institucioneve të tilla si SPAK, të cilin, siç e dini e mbështesim fort, dhe duam të shohim ta vazhdojnë punën e tyre. Për këtë arsye si dhe disa arsye të tjera për të cilat do të flas pas pak, mendova se ishte e rëndësishme të vija në Shqipëri për t’i kryer këto diskutime.