Pas bisedës me Vladimir Putin, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me homologun ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Sipas mediave të huaja, që citojnë Zyrën e Presidentit të Ukrainës, të dy liderët kanë biseduar me telefon për rreth një orë.
Më herët, Trump tha se do të telefononte Presidentin Zelenskyy për ta informuar për bisedën e tij me Vladimir Putinin, në të cilën ai ra dakord të “fillonte menjëherë negociatat” për përfundimin e luftës.
Ishte e paqartë nëse këto negociata përfshinin Kievin apo ishin bisedime dypalëshe midis SHBA-së dhe Rusisë.
“Ne ramë dakord të punojmë së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë vizitën e kombeve të njëri-tjetrit”, tha Trump pas telefonatës së tij me Putinin.
Trump tha se në krye të negociatave do të jenë sekretari i Shtetit Marco Rubio, drejtori i CIA-s John Ratcliffe, këshilltari i sigurisë kombëtare Michael Waltz dhe ambasadori Steve Witkoff.
Ai e përshkroi bisedën telefonike si “shumë produktive” dhe liderët ranë dakord se duan të ndalojnë vdekjen e mijëra njerëzve nga luftimet në Ukrainë.