Kombëtarja shqiptare e futbollit mposhti 3-0 Andorrën në “Arenën Kombëtare” dhe merr vendin e dytë në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Pas humbjes 2-0 me Anglinë tre ditë më parë në Londër, kuqezinjtë reaguan dhe siguruan tri pikët e para në misionin për ëndrrën e madhe të finaleve të një Botërori.
REVOLTA E TIFOZËVE – Ndeshja u karakterizua nga revolta e tifozëve të Kombëtares kundër presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Tifozat Kuq e Zi dhe “Illyrian Elite” nisën sharjet në kor kundër Dukës dhe pas vetëm tre minutave lojë u larguan nga tribuna e tyre, për t’u rikthyer në minutën e 35-të.
Gjithçka vjen si shenjë proteste pas një përplasje mes tyre prej disa javësh tanimë, pasi FSHF-ja vendosi që të gjitha biletat për ndeshjet e Kombëtares të dalin në shitje online, duke përjashtuar nga biletat e dedikuara për anëtarët ultras të Kombëtares, që janë Tifozat Kuq e Zi, të cilët kanë pasur një numër prej tyre në çdo sfidë. Kjo lidhet me faktin se TKZ i dolën kundër FSHF-së në lidhje me bashkorganizimin e Euro 2027 për moshat deri në 21 vjeç me Serbinë.
Veç protestës në stadium dhe thirrjeve kundër Dukës, TKZ para ndeshjes protestoi para selisë së FSHF-së.
NDESHJA – Kundër një rivali të lehtë në letër, Shqipëria e nisi ndeshjen më së miri dhe Rey Manaj pas nëntë minutash lojë përfitoi nga asisti i Asllanit duke zhbllokuar ndeshjen dhe bërë që tifozët të gëzonin. Sërish Manaj në të 19 minutë shënoi golin e dytë të ndeshjes dhe të dytin personal, kjo pas pasimit të Brojës.
Duket se Manaj e ka Andorrën kundërshtar të preferuar pasi i kishte shënuar edhe në 2019. Tanimë lushnjari e çon në 9 shifrën e golave për kuqezinjtë, një më pak se legjendat Sokol Kushta apo Igli Tare. Pas kësaj minute ekipi i Sylvinhos kontrolloi lojën dhe shënoi golin e tretë me Uzunin në shtesën e dytë.
Pas Anglisë e cila ka gjashtë pikë (fitoi edhe kundër Letonisë), Shqipëria me tre pikë merr vendin e dytë dhe tanimë mendja është në ndeshjen e radhës, ajo kundër Serbisë më shtatë qershor në Tiranë.
Komentet më të rëndësishme të ndeshjes:
90+4′ Mbyllet 3-0 ndeshja në Tiranë.
90+2′ GOOL! Myrto Uzuni shënon golin e tretë.
75′ Qazim Laçi dhe Armando Broja dalin nga fusha, në lojë Adrion Pajaziti dhe Myrto Uzuni.
67′ Gjimshiti i lë vendin Marash Kumbullës.
62’ Tre zëvendësime tek Andorra. Largohen Rubio, Rosas dhe Rebes, për t’i lënë vendin Rodrigo, Fernandez dhe Da Silva.
56′ Rey Manaj shpërdoron një mundësi të mirë shënimi. Sulmuesi nuk shfrytëzon si duhet një top të marrë nga Asllani në zonë.
46′ Nis pa zëvendësime pjesa e dytë.
45′ Mbyllet 2-0 pjesa e parë.
30′ Ndeshja luhet me një portë, Shqipëria kontrollon lojën.
26′ ‘Shpërthim’ i Arbër Hoxhës nga e majta. Pasimi i tij në zonë ndalet nga portieri Alvarez.
19′ GOOL! Armando Broja bën ‘lëmsh’ mbrojtjen mike dhe asiston për Manajn i cili shënon edhe golin e dytë.
9′ GOOL! Rey Manaj kalon Kombëtaren në avantazh.
3′ Tifozat Kuq e Zi shajnë në kor Armand Dukën, kreun e FSHF-së për shkak të problemeve me biletat e dedikuara për ta. Pas vetëm tre minutash lojë ata së bashku me ‘Illyrian Elite’ braktisën stadiumin, ku u rikthyen pas minutës së 35-të.