Konsulenti i fushatës së PD-së për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, amerikani Chris LaCivita hodhi poshtë aludimet e shumta nga grupet opozitare se ish-pjesëtari i shtabit të presidentit Donald Trump vinte në Shqipëri në emër të Amerikës apo për lobim dhe për t’i hequr ‘non gratën’ Sali Berishës.
Gjatë një takimi me të rinjtë e FRPD-së, LaCivita deklaroi se nuk përfaqëson qeverinë e SHBA-ve, por ‘një qytetar privat’, që merret me fushatat elektorale në vende të ndryshme të botës.
Në këtë mënyrë u ka shuar edhe shpresat demokratëve dhe vetë Berishës, që përpiqeshin ta shisnin si “të dërguarin e Donald Trump”.
“Sa i përket Shteteve të Bashkuara, natyrisht, unë nuk flas në emër të qeverisë amerikane. Jam këtu si një qytetar privat dhe merrem me fushata politike në vende të ndryshme të botës”, u shpreh LaCivita para të rinjve.