Në një vend normal me drejtësi me standarde kjo pyetje do të ishte anormale dhe jashtë çdo standardi gazetarie. Ndaj mos u ngutni duke kërcyer nga vendi si kangur me kundërpyetje; Ku konsiston interesi publik te seksualiteti i gjyqtarit apo prokurorit? Ç’lidhje kanë virgjëria apo harbimi si zgjedhje personale me drejtësinë e paanshme dhe në korrniza etike?
Fakte dhe rrethana
Në dosjen për korrupsionin e pretenduar të Erion Veliajt, me prokuror kryesor Ols Dadon, aludohet për një raport të dyshimtë mes arkitektit Olsi Eftimi dhe Ajola Xoxës, bashkëshortja e Erion Velaijt. Pa asnjë vlerë për hetimin, duke thyer rëndë etikën, besimin e publikut te drejtësia, përdhosur detyrën dhe dhunuar jetën private të personave nën hetim, Ols Dado dhe Sameti i Libofshës kanë shkruar qëllimisht në dosjen paraprake detaje rreth raportit Xoxa-Eftimi, krejtësisht të panevojshme dhe të padobishme për çështjen, por për të denigruar dhe poshtëruar moralisht Veliajn.
Nëse Erion Veliaj ka vjedhur paratë publike, të mbyllet në burg dhe t’i sekuestrohen pasuritë. Por, është e rrezikshme për qytetarët dhe shkallmuese për reputacionin e SPAK, që një prokuror, i emëruar në kundërshtim flagrant me ligjin dhe me një karrierë bazuar në mashtrim, të përdorë funksionin publik për të futur hundët jetën private dhe familjare, duke aluduar apo sajuar histori tradhtie, me qëllim lehtësimin e brengave të brendshme apo denigrimin e personave nën hetim, çlirimin e nyjeve emocionale apo mllefeve personale.
Pista e hakmarrjes nuk qëndron në përfshirjen në dosjen e Veliajt të aludimeve për integritetin moral të gruas së tij, pasi Dado e ka dorëzuar dosjen për masën e sigurisë në gjykatë disa ditë para se Veliaj të shpërthente në akuza ndaj tij.
Ndërkaq, fiksimi i prokurorit Dado pas kësaj historie nuk ndalet dhe as nuk zbehet, duke e vizatuar atë si një regjizor telenovelash. Në intepretimin e përgjimeve të Veliajt në burgun e Durrësit, Dado ndalet dhe analizon një bisedë mes Veliajt dhe zonjës Xoxa, për aludimet në dosjen e parë që Dado kishte bërë për raportin e zonjës Xoxa me Eftimin. Veliaj kërkon një shpjegim nga zonja Xoxa për këtë aludim. Dhe pikërisht këtë diskutim mes bashkëshortëve, pa asnjë lidhje me hetimin, Ols Dado e fut në relacionin, me të cilin kërkoi që Veliaj të qëndronte në burg.
Jo vetëm kaq. Por, pasi ka analizuar raportin familjar të të burgosurit Veliajt dhe i ka përfshirë këto elemente në relacionin e paraqitur në gjykatë, ky raport është bërë publik për të nxitur fantazinë e publikut. Këtë devijim të Ols Dados nga detyra për të cilën e paguajnë 56 mijë euro në vit dhe fiksim të tij pas jetës private të personave nën hetim, gazetari Mero Baze e ka lexuar si një vuajtje nga kompleksi i tradhëtisë së gruas, duke iu referuar vendimi të divorcit të Ols Dados.
Pikëpyetje për Engert Pëllumbin
Drejtësia e re ka rritur kontrollin e punës së prokurorit nga gjykata. Jo vetëm masa e sigurisë dhe gjykimi i dosjes, por gjykata vendos edhe kalimin ose jo të një dosje për gjykim si dhe i cakton prokurorit kryerjen e veprimeve shtesë hetimore. Pra, edhe sikur një prokuror të çmendet, është gjyqtari që certifikon veprimet e tij.
Në këto kushte, Ols Dado, vuan apo jo nga kompleksi i tradhtisë së gruas, është i justifikuar dhe i mbuluar nga gjyqtari Engert Pëllumbi. Trapllëqet e Ols Dados për raportet emocionale të të burgosurit me bashkëshorten, janë reflektuar në vendimin e gjyqtarit Engert Pëllumbi, i cili la në burg Veliajn.
Engert Pëllumbi jo vetëm nuk i skarcoi këtë marrëzira, por i reflektoi në vendimin e tij. Po në këtë vendim, Pëllumbi shkroi se bashkëpunimi i personave nën hetim Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe Elman Abule ka tiparet e grupi të strukturuar kriminal, duke theksuar se ky tipar nuk do të merret në konsideratë pasi në të kundërt do të cenohej parimi i mosrëndimit të pozitës së të pandehurit në caktimin e masës së sigurimit, ku gjykata nuk mund të jetë më e ashpër se sa prokuroria.
Po pse e shkruan kur e di se nuk merret në konsideratë? Pse e shkruan kur nuk je në rolin e gjyqtarit paraprak? (Mirë që nuk ka shkruar ‘tiparet e grupit të strukturuar seksual’).
Si mund të fusës në vendim gjykate aludime për jetën private që as faqja Vipat e Bllokut nuk i pranon?! Mirë që u llahtaris Dado, por Pëllumbi ç’pati? Tani mund t’a gjykoni pyetjen për virgjërinë e gjyqtarit Engert Pëllumbi!