9 përballje të boksit olimpik dhe 5 të boksit profesionist e presin kombëtaren shqiptare në një natë të zjarrtë grushti sonte në Tiranë. Djemtë kuqezinj do të përballen me rivalë të kombëtares spanjolle, por nuk mungojnë edhe profesionistë të tjerë të Amerikës Latine. Kryesfida do të jetë ajo mes Roxhers Musliajt dhe Kolumbianit Brayan Santader, për titullin WBO Youth.
“Përgjegjësia është dy herë më e madhe për mua. Unë jap premtimin se do jap maksimumin në ring. Jam përgatitur shumë fort për këtë ndeshje. Falënderoj Zotin për mundësinë që më është dhënë për titullin WBO. Kundërshtarit i them që ky titull do të mbesë këtu. Nuk ka shanse ta marrë me vete,”-u shpreh Roxhers Muslia, boksier.
Në boksin olimpik, për eventin e grushtit të hekurt, spikat dueli i kategorisë 92 kilogramë + mes Meti Hodës dhe Abdel Monin.
“Kundërshtari im ka ardhur me mendjen se do të fitojë, por do ta shohim në ring. Do të bëjmë të pamundurën që të tregojmë se kemi gjak shqiptari,”-tha Meti Hoda, boksier.
Për trajnerin e ekipit kombëtar të Shqipërisë djemtë kuqezinj do të kenë shumë punë në këto përballje.
“Unë kam parë që spanjollët e kanë ngritur shumë boksin, sidomos olimpik. Janë boksierë të mirë, por do të shohim. Pak a shumë kemi të njëjtin stil,”-u shpreh Artur Koçi, trajner i ekipit kombëtar.
Eventi ‘Grushti i Hekurt’ do të mbahet në Grand Panevino, duke nisur nga ora 19:00.