Ndërsa i gjithë shteti duket, me të drejtë, i mobilizuar në çdo fshat dhe skutë për të kapur “manipulatorët” e shitblerjes së votës për zgjedhjet e 11 majit 2025, një fakt i bujshëm, përpara syve të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, duket se nuk shqetëson institucionet që paguhen nga taksat e qytetarëve për të garantuar transparencë dhe barazi zgjedhore.
Si është e mundur që deri më sot, as SPAK, as Task Forca e ngritur enkas për këtë qëllim, dhe as KQZ-ja, nuk kanë ngritur pyetjen: Si ka mundësi që Chris LaCivita, konsulenti i Presidentit të vendit më të pasur dhe më të fuqishëm në botë, SHBA-së, paguhet për të çuar drejt “fitores” liderin e opozitës së vendit më të varfër në Europë?
Dhe jo vetëm Chris LaCivita, por edhe 3-4 të tjerë, po aq të shtrenjtë dhe luksozë – konsulentë që shumë liderë të vendeve të pasura nuk mund t’ua lejojnë vetes apo financave të tyre – paguhen nga Partia Demokratike e Sali Berishës.
Sa paguhen? Si paguhen? Me çfarë parash paguhen? A nuk është detyrë institucionale të verifikohen në kohë reale burimet dhe financimet e një fushate, kur dyshohet se mund të përdoren para nga burime të panjohura?
Ky duket si një nga skandalet më të rënda të këtyre zgjedhjeve, që nuk ka vënë ende në lëvizje shtetin shqiptar.
“Blerja” e një konsulenti si LaCivita nga Partia Demokratike dhe lideri i saj mund të fshehë transaksione marramendëse, apo premtime të jashtëzakonshme në rast se LaCivita do të arrijë atë që kërkon Sali Berisha.
Është koha që institucionet shqiptare – SPAK, Task Forca dhe KQZ – të tregojnë se ekzistojnë dhe se kompleksi që kanë treguar ndër vite ndaj Sali Berishës mund e duhet të tejkalohet, sidomos kur bëhet fjalë për transparencën në financimin e fushatës zgjedhore./ Shqiptarja.com