Në një takim të fundit elektoral, është shfaqur krah Berishës edhe një personazh, Paul Manafort. Një emër që shumëkujt mund t’i thotë pak, por për ata që e njohin, një “dele e zezë” në politikën e SHBA-ve
Chris LaCivita është bërë një pjesë e fortë e fushatës së Partisë Demokratike dhe veçanërisht Sali Berishës, kreut të forcës së djathtë, i cili e trumpeton strategun e fushatës së tij elektorale, ardhur nga SHBA-të.
Ndoshta edhe në mënyrë të përligjur, duke e përdorur figurën e tij të lidhur me Donald Trump si një kartë e ndjeshme ndaj një kategorie votuesish.
Me gjithë aludimet e pagesave për LaCivitan, për shkak të mungesës së transparencës, Berisha vijon ta mbrojë ethshëm.
Por LaCivita nuk është amerikani i vetëm krah Berishës në këtë fushatë.
Në një takim të fundit elektoral, është shfaqur krah tij edhe një personazh, i njohur si Paul Manafort.
Një emër që shumëkujt mund t’i thotë shumë pak, por për ata që e njohin, një “dele e zezë” në politikën amerikane.
Manafort është një 76-vjeçar, i cili kryesisht njihet si një lobist republikan në SHBA.
Ai ka shërbyer si këshilltar nën disa fushata presidenciale të suksesshme, që nga Gerald Ford, Ronald Reagan, apo George W. Bush.
Dhe për këtë edhe ka spikatur në kursin e karrierës së tij.
Por njollën e ka shumë më të madhe…
Aq të madhe, sa figura e tij lidhet direkt me Kremlinin dhe nami si një zë i brendshëm i Moskës brenda rangjeve të larta amerikane, mund të jetë po aq i qartë dhe i fortë sa nënshtrimi i Gerhard Schroeder në Gjermani, i cili i dha një superfuqi Vladimir Putinit në aspektin energjetik karshi Evropës.
Ai në fakt është një i dënuar për konspiracion në dëm të SHBA-ve, për konspiracion, për pengim të drejtësisë.
Një personazh, i cili gjatë një fushate zgjedhore mbi të gjitha, nuk është mirë ta kesh pranë sot.
Ai madje me gjasë duhet të ishte akoma duke vuajtur dënimin e tij, po të mos ishte për faljen presidenciale që Donald Trump ia dhuroi në dhjetor 2020, pak ditë përpara se të mbyllte mandatin e parë në Shtëpinë e Bardhë.
Operativi politik, mirënjohës, u përgjigj duke postuar në Twitter: “Zoti President, familja ime dhe unë ju falënderojmë përulësisht për faljen presidenciale që më dhuruat. Fjalët nuk mund të përçojnë plotësisht se sa mirënjohës jemi ne”, shkroi Manafort asokohe.
Por Manafort mbetet famëkeq për lobimet e tija, mbi të gjitha për njërin në veçanti, i cili e ka njollosur dhe sot në kontekst merr akoma më shumë peshë: Ai për ish-presidentin pro-rus ukrainas, Viktor Yanukovych.
Po ashtu, edhe përfshirje të shkuara me biznesmenin libanez Ziad Takieddine, në ryshfetin francez të Edouard Balladur dhe në financimin e paligjshëm nga lideri i atëhershëm libian Moammar Ghadaffi të kandidatit presidencial francez Nicolas Sarkozy, i cili më pas rezultoi të ishte njeriu i Moskës në Francë.
Apo fakti se pas faljes presidenciale, u përfshi në Kinë në një projekt të ngjashëm me Netflix në SHBA, i cili ka pëlqimin dhe që mendohet se pas fshihet vetë shteti kinez.
Një shembull i pastër se si lidhjet e Manafort shkojnë përtej të mendueshmes me Kremlinin dhe aleatët e ngushtë si Pekini.
E megjithatë, prapë situata nuk lidhet me Manafortin vetë.
Ajo lidhet me një pyetje shumë logjike: Ç’do Paul Manafort në fushatën e Berishës? (Albania Post)