Vendi është tronditur mbrëmjen e djeshme nga dy atentate mafioze. Në Lezhë, autorë të maskuar ekzekutuan me armë zjarri Gjovalin Prendin, 65-vjeç, babai i Sidorel Prendit të njohur më shumë si Roan Brahimi.
Rreth një orë më vonë, në kryeqytet në zonën e Lundrës, tre të rinj dhe shoferi i tyre, u plagosën pasi persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash automjetin e tyre tip “G-Class”. Dyshohet se pikërisht lloji i makinës së të rinjve i lidh dy atentatet mafioze me njëri-tjetrin.
Ka dyshime se autorët e plagosjes në Tiranë kanë ngatërruar makinën e tre të plagosurve në Lundër me automjetin e gruas së Roan Brahimit. Edhe ajo lëvizte me makinë tip “G-Class”.
Kush është Roan Brahimi?
Roan Brahimi është ekzekutuar në një atentat në Athinë të Greqisë, më 9 maj të 2024, në sy të gruas dhe djalit të tyre të vogël. Asokohe e plagosur mbeti dhe bashkëshortja e tij. Roan Brahimi dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen Gentjan Bejtjes në 15 mars 2024 në Larushk të Krujës.
Brahimi gjithashtu ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare që në vitin 2021, pasi bashkë me Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozi, hynë të armatosur në një lokal në Zejmen të Lezhës, terrorizuan klientët duke kërkuar pronarin. I njohur dhe si armiku i Ervis Martinajt, Brahimi po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë në atentatin ndaj Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Martinajt. Ky i fundit rezulton i zhdukur prej kohësh.
Bashkë me Brilant Martinaj humbën jetën dhe dy miqtë e tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata, të cilët u ekzekutuan. Ngjarja kriminale ndodhi më 17 korrik në 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës. Një tjetër vrasje ku emri i Brahimit përflitej është antetati ndaj Ylli Ibrahimit, ku vdiq Klisman Preçi.
Atentati në Tiranë
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri me armë zjarri drejt një automjeti tip “G-Class”. Në këtë automjet ndodhenin katër persona, Arenc Stafa 34-vjeç, Kian Mullahi 19-vjeç, dhe dy të miturit Dior Demiraj 11 dhe Marko Demiraj 17-vjeç. Pas ngjarjes së rëndë hetuesit kanë marrë dëshmitë e të plagosurve, të cilët, ende të tronditur janë shprehur se nuk kanë asnjë konflikt dhe po ashtu edhe ditën e djeshme nuk kanë pasur asnjë sherr.
Të rinjtë nuk kanë asnjë precedent, po ashtu edhe shoferi i tyre nuk ka asnjë precedent dhe asnjë konflikt. Sipas informacioneve, tre të rinjtë, shokë me njëri-tjetrin, kishin dalë për të festuar ditëlindjen e 11-vjeçarit dhe po kthehenin në shtëpi me shoferin Arenc Stafa.
Të shtënat me armë drejt tyre dhe ndjekja nga autorë ka filluar nga rrethrrotullimi i Shkozës përgjatë autostradës deri te TEG dhe më pas shoferi i “G-Class”-it për t’iu shmangur atentatorëve kanë shkuar drejt Lundrës.
Si pasojë e të shtënave të shumta më armë nuk i mbanin frenat dhe janë përplasur në vendin ku u gjet makina mbrëmë. Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, bëhet me dije se shoferi, 34-vjeçari Arenc Stafa dhe 19-vjeçari Kian Mullahi ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë dy të plagosurit e tjerë të mitur, Marko Demiraj, 17 vjeç, ndodhet në gjendje stabël, ndërsa 11-vjeçari Dior Demiraj ndodhet në gjendje më të rëndë. 17-vjeçari dhe 19-vjeçari pasi kanë marrë mjekim në spitalin e Traumës janë dërguar në spital privat.
Bëhet me dije se familjarët e të plagosurve nuk kanë qenë në dijeni dhe janë lajmëruar nga policia rreth 1 orë pas ngjarjes. Hetuesit ende nuk kanë një pistë konkrete për këtë ngjarje të rëndë, por dyshohet që autorët mund të kenë ngatërruar edhe shënjestër pa e ditur se cilat persona po udhëtonin brenda në atomjetin “G-Class” që e kishin nën shënjestrën e tyre.
Atentati në Lezhë
Gjovalin Prendi, 65 vjeç, u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në fshatin Pllanë të Lezhës teksa po konsumonte kafe në lokalin e tij. Dyshohet se autorët kanë qenë tre, të cilët me automjetin e tyre fouristradë, janë ndalur pranë biznesit të babait të Sidorel Prendit, të njohur më shumë si Roan Brahimi. Dy prej tyre të maskuar kanë zbritur nga automjeti duke qëlluar me breshëri plumbash në afërsi drejt Prendit.
Ata dyshohet se kanë qenë duke vëzhguar objektivin e tyre ku sapo e kanë parë tek dera e lokalit e kanë qëlluar ku plumbat e kanë prekur viktimën në pjesën e kraharorit. Bëhet gjithashtu me dije se në lokal ka patur dhe persona të tjerë prezent mes tyre dhe familjarë. Këta të fundit e kanë dërguar 65-vjeçarin menjëherë në spital por nuk i ka mbijetuar plagëve të marra. Ky lokal është sulmuar edhe më parë dy herë me armë zjarri dhe eksploziv.
Vrasja dyshohet se ka ndodhur për motive hakmarrëse për shkak të përfshirjes së djalit të tij në ngjarje kriminale. 65-vjeçari nga ana tjetër ishte njeri me reputacion në zonë dhe interesohej për drejtësi, ndërsa gjithashtu ka bërë çmos që saga e vrasjeve të ndalej.