Drejtoria e Antikontrabandës ka kryer një aksion në degën e doganës Kapshticë, duke goditur një rast kontrabande me vlerë qindra mijë euro. Në mbrëmjen e datës 15 prill është ndaluar një trailer me peshë 40 tonë, me produkte ushqimore, të cilat nuk ishin deklaruar në doganë, nuk kishte elementë sigurie dhe përdorën dokumente të falsifikuara.
Sipas burimeve zyrtare, 3 doganierët e kanë regjistruar ngarkesën në sistem me dokumentacion të falsifikuar. Në bashkëpunim me drejtorinë e Policisë Korçë, drejtoria e Antikontrabandës ka referuar në prokurori subjektin, shefin e turnit dhe doganierët e doganës, Vasfi Toska, Erjon Gozhdari dhe Anxhela Elezi për shpërdorim detyre.
Gjithashtu, ka nisur hetimi edhe për drejtorin e Përgjithshëm i Hetimit Doganor, Dorian Doka, dhe dy të tjerë me detyrë specialistë për Hetimin Doganor, për shkak se nuk njoftuan prokurorin për shkeljet e 3 doganierëve. Pavarësisht marrjes së këtij njoftimi, këta shtetas nuk kanë informuar Prokurorin e gatshëm apo strukturat për hetimin e krimeve pranë DVP Korçë deri në orën 15:00 të datës 16.04.2025 (pas më shumë se 15 orësh), duke sjellë pasoja të rënda për hetimin e këtij rasti.