Një çantë dore që i përkiste sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, ku ishin pasaporta e saj, distinktivi i departamentit dhe 3,000 dollarë, u vodh të dielën mbrëma në një restorant në Uashington, konfirmoi departamenti.
Noem konfirmoi gjithashtu vjedhjen në festën e Vezëve të Pashkëve në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mëngjes.
Departamenti nuk dha hollësi, por tha se mund të konfirmonte detajet e njëshkrimi të CNN, i cili thoshte se çanta e Noem kishte gjithashtu patentën e saj, disa barna, çelësat e apartamentit dhe çeqe bosh.
“E gjithë familja e saj ishte në qytet, duke përfshirë fëmijët dhe nipërit e saj,” tha departamenti përmes emailit.
“Ajo po tërhiqte para për të argëtuar familjen e saj me darkë në restorant, aktivitete të ndryshme dhe dhurata të Pashkëve.”
Departamenti i Policisë Metropolitane në Uashington të hënën i referoi pyetjet Shërbimit Sekret, i cili vetë i referoi pyetjet Sigurisë Kombëtare.
Noem, që ka qenë guvernatorja republikane e Dakotës së Jugut përpara se të bashkohej me administratën Trump, ka tërhequr vëmendjen për postimet e saj provokuese në rrjetet sociale, duke përfshirë një video nga një burg në Salvador, ku ajo mbante në dorë një orë “Rolex”, ndërsa pa kurrizit të saj ishin të burgosurit në qeli, shkruan NY Times.
Si Sekretare e Sigurisë së vendit, Noem drejton një departament që është përgjegjës për sigurinë e vendit. Përgjegjësitë e departamentit përfshijnë kontrollin kufitar dhe emigracionin, mbrojtjen nga terrorizmi dhe sigurinë kibernetike.
Agjencitë brenda departamentit përfshijnë FEMA, Agjencinë e Urgjencës; Rojet Bregdetare; dhe Shërbimin Sekret.