Shumëkush në Itali, por dhe në Shqipëri, shprehu habinë pse “Giro d’Italia” sezonin e vitit 2025 do e fillojë nga Shqipëria!? Çiklistët më të mirë të botës do të garojnë në 9, 10 e 11 maj në tre etapa, në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe i gjithë ky zhvillim falë personaliteteve që drejtojnë FCI dhe veçanërisht presidentit Cordiano Dagnoni.
Shqipëria ka trashëguar në garat çiklistike një traditë të vyer. Me lindjen e këtij sporti përmenden disa shqiptarë që garuan për klubet franceze, si Nevruz Nivicaj, Palok Nikaj, Jonuz Gjylbegaj e Rudolf Gurashi. Ishte Palok Nikajt dhe ish studenti i kulturës fizike e sporteve në Francë, Avni Zajmi, që organizuan të parin rreth çiklistik shqiptar në vitin 1925. Janë pak ata që e dinë se vjen në Europë si veprimtari e treta, pas Turit të Francës dhe Xhiros së Italisë. Edhe sikur ne fqinjët e miqtë e Italisë të mos kishim asgjë tjetër për t’ju afruar, do mjaftonte kaq për t’ju dhënë një përgjegje skeptikëve!
Shpikja nga skocezi John Boyd Dunlop e gomës pneumatike e bëri përdorimin e biçikletës me përhapje të gjithanshme e me një ndikim të shumtë në shoqëri. Ky mjet lëvizës solli kudo ndryshime sociale dhe emancipuese. Në Shqipëri nga fillimi i shek XX hynë dhe u përdorën biçikletat franceze “Alcyon” dhe “Solex”; italianet “Garrelli”, “Nassetta”, “Gerosa”, “Bianchi”, “Daccordi” e “Triestina”; anglezja “Phillips”; hollandezja “Sparta”; ruset “ZIS” e “ZVZ” (Zhivkovski); hungarezja “Robusta”; gjermanolindoret “Diamant” e “MIFA”; kinezet 26 e 28-she; një tip vietnameze dhe dy tipet shqiptare të Uzinës Tirana, “Ylli” dhe “Tirana”. Të gjitha sa sipër, falë përkushtimit të koleksionistit të mirënjohur, Arben Prrenjasi, janë ruajtur e shndërruar nga vlera materiale në vlera muzeale te Muzeu “Ron” në Tiranë.
LEXO EDHE:
Rastësia e pabesueshme që nga viti 1958, sa herë klubi italian ngjitet në kategori një Papë ndërron jetë
Prej lindjes të sportit të çiklizmit, Italinë e shikojmë të shoqërohet parreshtur nga lavdia. Sportistët e saj i kanë dhënë jetën e kuptimin kësaj gare në gjithë botën. Kampionët kanë qenë të shumtë, por dy prej tyre sundojnë historinë, Gino Bartali dhe Fausto Coppi. I pari, një katolik i devotshëm dhe tjetri një volterian-do i përshkruante shkrimtari Malaparte te eseja “Dy Italitë”.
Do desha të shkëpus prej tyre e t’i kujtoj lexuesit në respekt të “Giro d’Italia”, vetëm një legjendë, Fausto Coppi-n, emri i të cilit ishte bërë i njohur në rininë time, kohë kur lëvizja me një “Bianchi” të vjetër, në Shqipërinë e viteve ’60, kohë kur ende vëndi nuk ishte i mbyllur në ato përmasa të errëta ku u fundos.
Fausto Coppi ka qenë pamëdyshje një prej kampionëve më të mëdhenj të çiklizmit të shekullit të XX. Më tregonte një shok i pasioneve sportive, Ali Ohri, ish kampion hipizmi, i arsimuar në akademinë ushtarake të Ferraras, se si u zbulua talenti i tij?
Bir i një familje të varfër, kishte filluar punë në moshën ende të njomë i shtrënguar të bënte shegertin në transportin me biçikletë të mallit të dyqanit ku punonte. Bënte dhjetra kilometra çdo ditë, vajtje-ardhje. Një ditë të bukur, ndërsa ekipi kombëtar i çiklizmit të Italisë stërvitej në rrugët piemonteze që përshkonte Fausto, ata u parakaluan nga një djalosh i cili, gjatë pedalimit e ngjitjes në lartësinë e rrugës, sipas ritmit të pedalimit, kthente instiktivisht kokën herë majtas dhe herë djathtas. Trajnerëve ju duk sikur po i përqeshte dhe nxituan ta kapnin, gjë që u bë e mundur vetëm pasi motoçikleta e ekipit i doli para.
Nga kjo ditë filloi karrierën e tij në çiklizëm. Në vitin 1937, 18 vjeç, u bë profesionist dy vjet më vonë, në vitin 1940 u shpall Kampion i Italisë, duke shënuar kështu emrin në faqet e arta të këtij sporti si garisti me moshë më të re që fiton titullin kampion. Garoi 22 herë (pa përfshirë vitet 1941-1945 që nuk u zhvilluan gara. Fitoi 5 herë titullin Kampion dhe mbi dhjetë herë u rendit i dyti dhe i treti.
Më 10 qershor 1940, kur Benito Musolini mbajti fjalimin e famshëm nga ballkoni i Piazza Venezia, në Romë, njoftoi hyrjen e Italisë në Luftën e Dytë Botërore. “Luftëtarët e tokës, detit, ajrit…burra e gra të Italisë, të Perandorisë dhe të Mbretërisë Shqiptare. Dëgjoni! Një orë e shënuar nga fati rreh në qiellin e atdheut tonë …”, që fracezët do ja kujtonin me urrejtje Fausto Coppit në turin e Francës.
Në vitin 1946, rifillimi i garave sportive i dha Coppit kënaqësinë e rivalitetit historik me kampionin tjetër të madh, Gino Bartali, ku mbahen mend beteja rrugore epike dhe parakalime gjysëm rrotëshe në finish. Në vitin 1949 Coppi “zemëroi” popullin francez, duke fituar Tour de France, të cilin e përsëriti në vitet 1952 dhe 1953.
Pas tre frakturave në garat “Giro d’Italia”, më 2 janar 1960, Fausto Coppi vdiq në moshën dyzet vjeçare, për shkak të malaries që e preku gjatë një udhëtimi në Afrikë. Fitoret e mëdha, këmbëngulja dhe vullnetit i këtij kampioni të madh mbeten në kujtesën kolektive, ndaj dhe Italia e përkujtoi në pullat postare që i kushtoi me rastin e 80 dhe 100 vjetorit të Lindjes.
Janë dhe 7 shtete të tjera që kanë emëtuar pullë postare për Fausto Coppi-n. Jam shpresëmadh se një emision pullash postare do i kushtoj dhe Posta Shqiptare ngjarjes, “Giro d’Italia”, me tre etapat që do mbeten të paharrueshme për rrugët e Shqipërisë!/Nga Bajram Peçi