John McLaughlin, sondazhisti i presidentit Amerikan Donald Trump, i vetmi që parashikoi fitoren e këtij të fundit për Shtëpinë e Bardhë, publikoi dje në Top Channel sondazhin paraprak për zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë.
E në një kohë kur një mik shumë i mirë i tij, Chris Lacivita, është rreshtuar me fushatën e parties demokratike në Tiranë, sondazhi i McLaughlin nxorri fituese të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, partinë socialiste me 49.2%.
Po sipas sondazhit të tij, Edi Rama është kandidati më i preferuar për postin e kryeministrit me 50.5% të mbështetjes nga qytetarët. Kryeministri Edi Rama kryeson gjithashtu listën si lideri më i pëlqyer me 53.3%, ndërkohë që figura të tjera politike rezultojnë me pëlqyeshmëri më të ulët.
I ftuar mbrëmjen e djeshme në Top Channel, Mclaughlin theksoi se “në thelb votuesit votojnë për kandidatin”, dhe në rastin shqiptar “kemi të bëjmë me dy kryesorë që janë, Rama-Berisha, e kur përballen me këto opsione njerëzit kanë zgjedhur më shumë zotin Rama”.
John McLaughlin është vlerësuar publikisht nga vetë presidenti Donald Trump si “një mendje brilante strategjike”.