Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë marrë vendimin sot në favor të gazetarit Elton Qyno për padinë e tij për vendimet e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e pajisjeve elektronike në pronësi të tij, kontrollin në shtëpi dhe kontrollin personal pas një hetimi të nisur nga SPAK për nxjerrje të sekretit hetimor.
Në padi, Qyno kërkonte shfuqizimin e vendimmarrjeve që sollën këto vendime, duke i cilësuar ato në shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut. Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje në dhjetor 2023 për rrjedhjen në media të materialeve nga një dosje hetimore për një sërë krimesh të rënda, ndërsa pas një kontrolli në shtëpinë e tij, Prokuroria sekuestroi celularët dhe mjetet elektronike.
Qyno e ka kundërshtuar vendimmarrjen si shkelje e të drejtave të tij si gazetar. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi masën e “detyrimit për paraqitje” për Qynon për veprën e korrupsionit pasiv në sektorin privat, mbi bazën e një procedimi të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme për organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela. Në janar, Gjykata e Posaçme e Apelit e rrëzoi masën e sigurisë së vendosur nga shkalla e parë. Tani SPAK nën drejtimin e Dumanit duhet të përgjigjet edhe për shkeljet antikushtetuese, nenin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe ndërhyrjen antiligjore në pushtetin e katër atë të medias.