Vetëm 47 sekonda i mjaftuan minorenit Rejhan Bela për të ekzekutuar policin në Kaçanik mbrëmjen e 1 prillit.
Plani ishte përgatitur nga 7 persona, të cilët u arrestuan të hënën në Kosovë. Dosja e prokurorisë tregon se rreth orës 23:00, polici ka qenë duke shkuar në shtëpi, kur në hyrje të pallatit ku jetonte është qëlluar me 4 plumba nga pas shpine.
I mituri Rejhan Bela është ndihmuar nga Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi, të cilët akuzohen për vrasje me dashje.
Muhamet Lika ndërroi jetë në spital, ndërsa autori pas ekzekutimit largohet drejt një lokali të zonës ku takohet me Rilind Muratin.
Në dosje përmendet edhe incizimi që dëshmon komunikimin e të dyshuarve pas vrasjes.
Në të dëgjohet zëri i Rilind Muratit duke i thënë “Bravo. Ik.” të dyshuarit kryesor për vrasjen e policit, Rejhan Belës, pasi ky i fundit e kishte kryer vrasjen.
Paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i mituri Rejhan Bela së bashku me të pandehurit Rilind Murati dhe Vatan Çaka dhe lëvizjet e të pandehurve tjerë, thuhet në dosje.
Sipas organeve të drejtësisë, polici Lika u vra për shkak të detyrës.
Kjo pasi, disa nga pjesëtarët e grupit që u arrestua të hënën kishin të kaluar kriminale dhe po ashtu ishin arrestuar për vepra që lidhen me ekstremizëm dhe terrorizëm.
I dyshuari kryesor, Rejhan Bela, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ka qenë i dënuar për dhunë dhe ka pasur urdhër-arresti për të.
Ndërsa, Haki Bela, ishte arrestuar në vitin 2023 nga rreshteri Lika, tashmë i ndjerë, pasi dyshohet se kishte shpërndarë afishe që përhapin propagandë kundër festimit të festave të fundvitit dhe po ashtu i kishin vënë flakën bredhit që ishte vendosur në oborrin e komunës së Hanit të Elezit.
Gjykata Themelore në Ferizaj, me kërkesë të prokurorisë, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh edhe për 6 pjesëtarët e grupit që u arrestuan të hënën.