Këtë të mërkurë u mbajt në GJKKO seanca e radhës për dosjen “Partizani” ku janë nën akuzë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Pas përfundimit të seancës së sotme në GJKKO për dosjen “Partizani”, e cila nisi prej orës 13:00 të kësaj të mërkure, ka folur për mediat avokati Genc Gjokutaj.
Ai tha seanca u shty dhe se vendimi për kalimin për gjykim ose jo të çështjes do të merret nesër në orën 13:00.
“Gjykata ka rrëzuar të gjitha kërkesat tona, përfshirë pavlefshmërinë e ekspertëve. Kemi kërkuar një kohë të shkurtër për t’u konsultuar për këtë vendimmarrje që e konsiderojmë të paligjshme. Nesër do të mësojmë nëse çështja do të kalojë për gjykim të themelit,” u shpreh Gjokutaj.
Ai theksoi se nuk ka ende qartësi lidhur me vendimin dhe se do të konsultohet me ekipin ligjor për të vendosur për hapat e mëtejshëm.
“Kemi vepruar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Vendimi nuk është i qartë dhe do të na duhet ta analizojmë para se të ndërmarrim veprime të tjera,” shtoi ai.