Vendimi i NATO për të ngritur një bazë ushtarake në Kuçovë ka shqetësuar edhe fqinjët tanë grekë. Pak ditë më parë gazeta raportoi se ishin rusët ata të cilët në lajmet që i kishin kushtuar krijimit të bazës së NATO reflektonin shqetësim dhe madje nuk mohonin edhe skenarët e dhunës në Ballkan. Ndërsa mediat greke deri tani thjesht kishin bërë një pasqyrim objektiv, pa komente dhe pa mbajtur një qëndrim se çfarë do të sjellë vendimi i SHBA. Por edhe “heshtja” e grekëve ka marrë fund. Portali “Ithesis.gr” ka bërë dje një lidhje midis dy ngjarjeve të mëdha për shqiptarët ditët e fundit: krijimi i bazës ushtarake në Kuçovë dhe ideja për korrigjim kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës. Grekët lënë të nënkuptohet që nuk është rastësi që të dyja këto ngjarje ndodhën njëra pas tjetrës.
“Më 4 gusht, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se NATO ka vendosur të instalojë bazën e parë të ajrit në Ballkanin Perëndimor pranë Bashkisë së Kuçovës. Punimet e ndërtimit do të fillojnë së shpejti. Baza e re do të shërbejë për mbështetje organizative, patrullime ajrore dhe edukim. Baza do të përdoret gjithashtu nga forcat ajrore shqiptare. Baza Amerikane “Lidhje e Çelikut” në Kosovë është përdorur nga Forca e NATO-s për Kosovën. Më 2 gusht, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha në një intervistë: “Kufijtë e Kosovës me Serbinë duhet të korrigjohen.” Z. Thaçi ndjehet rehat kur bën deklarata të tilla për shkak se ai ndjen pas tij mbështetjen e plotë të Perëndimit”, thuhet në shkrimin e portalit grek.
Shqipëria e Madhe
Edhe Greqia, ashtu sikurse Rusia, mendon se pas vendimit të SHBA për të ngritur bazën ushtarake në Kuçovë qëndron ideja për të krijuar Shqipërinë e Madhe. Vetëm se fqinjët grekë e lidhin vendimin e NATO edhe me pretendimin e Thaçit për zgjerim territoresh të Kosovës. Me pak fjalë, media greke në shkrimin e saj lë të nënkuptohet se Shqipëria e Madhe është drejt krijimit, nëse edhe territori i Kosovës zgjerohet dhe ideja e Thaçit merr jetë. Në shkrim nuk lihet pa përmendur edhe ndihma që ka dhënë NATO për Kosovën dhe ndihmën që po jep për Shqipërinë, duke theksuar edhe një herë lidhjen mes korrigjimit të territoreve kosovare dhe ngritjes së bazës ushtarake në Kuçovë.
“NATO beson se Ballkani Perëndimor është një zonë me rëndësi strategjike. Samiti i mbajtur më 11 dhe 12 korrik shprehu mbështetje të veçantë për aspiratat e Atlantikut të vendeve të Ballkanit. Maqedonia u ftua zyrtarisht për t’u bashkuar me Aleancën. Në prag të konferencës, Ndihmës Sekretari i NATO-s Rose Gottemoeller ka shprehur mbështetjen e saj për procesin e reformave në Kosovë, duke përfshirë krijimin e forcave të veta të rregullta të armatosura. Një forcë ajrore e NATO-s në Shqipëri sigurisht që nuk do të përmirësojë gjërat ose do të sjellë një jetë më të sigurt për njerëzit e zakonshëm që jetojnë në Ballkanin Perëndimor. Por sigurisht që do të sjellë më afër realizimin e planit të Shqipërisë së Madhe”, përfundon artikulli i grekëve.
Shqetësimi i Moskës
Nga ana e Rusisë ishte portali “Fort-Russ”, ai i cili i dedikoi pak ditë më parë një artikull çështjes së ngritjes së bazës ushtarake në vendin tonë. Artikulli mbizotërohej nga nota shqetësimi, ndërsa nuk kurseheshin as paralajmërimet për skenarët e dhunës. “Zgjerimi i infrastrukturës së NATO-s në Shqipëri nuk është befasi dhe është pjesë e fushatës më të madhe të SHBA-NATO për të promovuar një “Shqipëri të Madhe” që përfshin nxitjen e konflikteve fetare në shtetet e Ballkanit me popullsinë shqiptare, si Mali i Zi dhe Maqedonia, dhe të cilat mund të shërbejnë si një valë kundër Serbisë”, thuhej në shkrim./ Mimoza Ibra