Ashpërsohet situata brenda opozitës shqiptare. Aksionet e paralajmëruar në vjeshtë kanë rritur përplasjet mes Bashës, Kryemadhit dhe Sali Berishës. Kreu demokrat u ka dhënë fund pushimeve dhe është kthyer në selinë e PD për të marr në dorë frenat e partisë, ndërkohë që Berisha e Kryemadhi kanë shtuar presionet për të çuar vendin në mosbindje civile. Thirrjet e Sali Berishës të pak ditëve më parë kanë krijuar tensione brenda PD, pasi tashmë partia është ndarë në dy kampe. Gazeta e tha pak ditë më parë se Berisha ka porositur njerëzit e tij në bazë që të përgatiten për trazira në shtator, mirëpo të besuarit e ish-kryeministrit kanë filluar të hasin në rezistencën e liderit demokrat.
Të gjithë krerët e degëve në vend u kanë bërë të ditur anëtarëve se deri më tani nuk ka asnjë porosi nga kryetari Basha për protesta dhe për këtë arsye askush nuk duhet të mobilizohet pa një udhëzim konkret. Burime të gazetës pranë degëve të PD në Njësitë 2, 3 dhe 4 në Tiranë thanë se mes anëtarëve kanë nisur përplasjet. Mbështetësit e Berishës u kanë kërkuar anëtarëve të degës të nisin mobilizimi dhe të karikojnë elektoratin, ndërkohë që mbështetësit e Bashës janë rreshtuar kundër. Këta të fundit janë shprehur në takime se asnjëherë nuk merret pushteti me revolta, prandaj duhet që të pritet udhëzimi nga Basha për atë se çfarë do të ndodhë. Mirëpo, mbështetësve të Berishës u ka mjaftuar thirrje ish-kryeministrit në Facebook dhe janë bërë gati për trazira në shtator. Pra duket se kemi një ndarje të fortë mes Bashës dhe Berishës në PD.
Basha kërkon gjithashtu largimin e Ramës, por asnjëherë nuk ka deklaruar se ai duhet të largohet me dhunë, pro e ka shprehur se do jenë shqiptarët që duhet të vendosin me votë. Nga ana tjetër, Berisha duket se do të rikthehet në vitin 1998, kur tentoi të merrte me dhunë qeverinë. Ashtu si herët tjera edhe kjo vjeshtë duket se do e gjejë të përçarë opozitën. Berisha-Meta e Kryemadhi prej disa ditësh kanë lëshuar mesazhe të forta për revolucion në shtator, por që nuk po gjejnë konsensusin liderit demokrat.
LSI kërkon të marrë frenat e protestave
Lëvizja Socialiste për Integrim ishte e para që dha sinjale se në shtator do shkohet drejt dhunës për të marrë pushtetin. Ishte Petrit Vasili ai që u shpreh se nëse do rrëzohet ligji por teatrin do ketë tensione. Më pas i ashpër ishte dhe Berisha, i cili kërkoi që të ndiqte i njëjti shembull si në Rumani. Por duke qenë se Basha nuk po jep asnjë sinjal se do shkojë te mosbindja civile, duket se Monika Kryemadhi po tenton të marrë frenat e aksionit opozitar në shtator.
Burime pranë deputetëve të LSI i thanë gazetë se Kryemadhi ka filluar të mobilizojë që tani bazën, ndërkohë që presionet ndaj Bashës janë forcuar. Ditën e djeshme ishte Petrit Vasili ai që e përforcoi idenë se LSI do tentojë revolta, ndërsa dhe mediat pranë Ilir Metës kanë dhënë mesazhe se duhet të ndiqet pas Kryemadhi. Kjo e fundit ishte për rreth 2 javë në Kosovë me Ilir Metën dhe duket se aty u detajua plani i aksionit opozitar. Duke e ditur se Basha nuk është për dhunë, Kryemadhi po synon që në aksionet që do ndodhin në shtator ta nxjerrë partinë e saj më protagoniste. Militantët e saj do jenën më të dhunshëm dhe po ashtu dhe deputetët e LSI po planifikojnë që të jenë më aktivë në Parlament.
Pra duket se dhe vetë brenda opozitës kemi një garë. LSI po kërkon t’u tregojë shqiptarëve se është ajo alternativa më e mirë në opozitës, ndërsa Basha nga ana tjetër do që të ketë pas vetes ndërkombëtarët. Dihet që kushdo që teton të marrë pushtetin me dhunë e humb mbështetjen e SHBA-BE dhe kjo e tremb Bashën, i cili tani duhet të përballet me Ramën nga njëra anë, por dhe me Berishën, Kryemadhin dhe Metën nga krahu tjetër.
Kliti Topalli