Gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu kanë dorëzuar pranë eprorëve të tyre të gjitha çështjet që kanë pasur për gjykim. Sipas ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të gjithë subjektet e rivlerësimit që janë shkarkuar nga detyra, nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe që e kanë apeluar vendimin nuk kanë të drejtë të shqyrtojnë dhe gjykojnë çështje deri në vendimin përfundimtar të Kolegjit të Apelimit. Por krahas pezullimit të çështjeve, subjektet e rivlerësimit kanë dhe një sërë privilegjesh deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga ana e Kolegjit të Posaçëm ta Apelimit. Gjyqtarët dhe prokurorët gjatë pezullimit të detyrës kanë të drejtën e pagës në masën 75%.
“Subjekti i rivlerësimit, i cili ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit të Komisionit për masën disiplinore për shkarkimin nga detyra, pezullohet ex lege nga detyra e tij në pritje të vendimit të Kolegjit të Apelimeve. Gjatë periudhës së pezullimit atij i njihet e drejta e pagës në masën 75 për qind të saj, në përputhje me nenin F, pika 5, të Aneksit të Kushtetutës. Në këtë rast, subjekti i rivlerësimit nuk ka të drejtë të shqyrtojë dhe të gjykojë çështje.
Ai është i detyruar të ofrojë një adresë elektronike alternative për vazhdimin e komunikimit me institucionet e rivlerësimit, gjatë gjithë procesit; 3. Në rastin kur mungon një adresë elektronike alternative, subjekti i rivlerësimit njoftohet në përputhje me nenin 52 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative””, thuhet në ligj.
Vendimi i Kolegjit të Apelimit
Kolegji i Apelimit gjatë shqyrtimit të ankimimit të vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka të drejtë që të marrë një sërë vendimesh. Sipas ligjit, Kolegji i Apelimit mund të prishë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, mund ta ndryshojë atë, ose ta lë në fuqi. Por pavarësisht kësaj, nëse Kolegji vendos shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, sipas ligjit vendimi efekt të menjëhershëm ex lege. Pra nëse subjekti shkarkohet nga detyra ai humbet menjëherë të drejtën e benefitit për të përfituar 75% të pagës.
“Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji i Apelimit vendos: lënien në fuqi të vendimit të Komisionit; b) ndryshimin e vendimit të Komisionit; prishjen e vendimit të Komisionit. Kolegji i Apelimit, në arsyetimin e vendimit të tij, orienton Komisionin për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme. Vendimi i Kolegjit të Apelimit, që vendos shkarkimin nga detyra, ka efekt të menjëhershëm ex lege”, thuhet në ligj. Më tej jepen edhe specifika mbi procesin gjyqësor të Kolegjit të Apelimit.
Aty thuhet se vetëm në rastet kur ankimim bëhet nga Komisioneri Publik, Kolegji i Apelimit e shqyrton çështjen në seancë publike. “Procesi gjyqësor në Kolegjin e Apelimit kryhet në përputhje me rregullat e parashikuara në nenet 47, 48, pika 1; 49, 51, dhe 55 të ligjit nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Vëzhguesi ndërkombëtar ka të drejtë të paraqesë rekomandim me shkrim Komisionerit Publik, për të paraqitur ankim. Ky rekomandim jepet nga një komision i përbërë nga të paktën 3 përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Në rastin e ankimit nga Komisioneri Publik, Kolegji i Apelimit e gjykon çështjen në seancë publike”, thuhet aty./Endri ARIZI