Vetingu në sistemin e drejtësisë duket se nuk do të lejojë asnjë të korruptuar që të vijojë detyrën e tij në asnjë pozicion të rëndësishëm publik. Kjo për faktin se gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga procesi i vetingut rrezikojnë të mos jenë më as pedagogë apo lektorë pranë Shkollës së Magjistraturës.
Në një reagim të dhënë për një media, Shkolla e Magjistraturës, teksa u pyet për të shkarkuarit nga procesi i vetingut, u shpreh se ata janë të pezulluar deri në një vendim përfundimtar që do të jap Kolegji i Apelimit. Ndërkaq, Shkolla e Magjistraturës theksoi se në mungesë të një vendimi përfundimtar nga ana e Kolegjit të Posaçëm do të jetë Këshilli Drejtues i shkollës ai që do të vendosë në lidhje me fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga detyra.
“Sipas ligjit ata janë të pezulluar deri në një vendim përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, por çdo vit edhe këtë sezon në shtator Këshilli Drejtues i shkollës do të vendosë se si do veprojë me gjyqtarët e prokurorët e shkarkuar që janë pedagogë pranë shkollës”, u shpreh Shkolla e Magjistraturës. Po ashtu administrata e magjistraturës sqaroi se çdo lëndë në këtë shkollë ka 4 deri në 5 pedagog dhe nëse ndonjë prej tyre është prekur nga procesi i vetingut, kjo nuk ndikon në mësimdhënie.
Nga procesi i vetingut 21 gjyqtarë e prokurorë mes tyre dhe lektorë magjistrature nuk mundën të kalojnë procesin e rivlerësimit pasi sipas KPK-s nuk justifikuan pasurinë dhe kishin kontakte me persona të inkriminuar. Shkolla e magjistraturës në Shqipëri është hapur për herë të parë në vitin 1997. Pas 21 viteve për shkak të Reformës në Drejtësi dhe ngërçit të krijuar për kompetencat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, të diplomuarit e këtij viti nuk mundën dot të emëroheshin si gjyqtarë e prokurorë dhe pse gëzojnë statusin e magjistratit.
Megjithatë bëjmë me dije se lektorët e shkarkuar nga procesi i vetingut janë: Altina Xhoxhaj, Artan Broci, Gentian Trenova, Shkëlzen Selimi dhe Dritan Rreshka.