Aleatët e Partisë Demokratike janë rreshtuar ditën e djeshme kundër protestave të dhunshme në shtator. Eksponentë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim prej disa ditësh kanë bërë thirrje të forta për revolta dhe trazira sociale me qëllim rrëzimin e qeverisë. Por për kreun e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi protestat e dhunshme nuk janë zgjidhje. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deputeti Shehi deklaroi se opozita në Shqipëri duhet të protestojë në mënyrë demokratike, ashtu siç ndodh në çdo vend demokratik. Madje, ai theksoi se protestat demokratike dhe denoncimi i aferave korruptive të qeverisë janë dy elementë që duhet të udhëheqin axhendën e opozitës sa i takon sezonit të ri parlamentar që pritet të nisë në vjeshtë.
“Gjeja e para që duhet të bëjë opozita është që të protestojë me çdo mjet dhe të denoncojë çdo lloj krimi dhe korrupsioni që po bëhen përditë haptazi nga ana e qeverisë, pasi nuk pyet më njëri për ligj në këtë vend. Kështu që për mendimin tim protestat duhet të jenë si në gjithë botën, si në gjithë Europën demokratike dhe jo të dhunshme. Madje, gjykoj që protestat të jenë më të mira se ato në Rumani apo ku po shikojmë gjetkë”, deklaroi ai për gazetën “SOT”.
Basha të ofrojë alternativa
Duke komentuar situatën politike brenda kampit opozitar, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi i sugjeroi kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha që të ofrojë sa më shumë alternativa për qytetarët. Në këtë kontekst, deputeti i PD kërkoi që Basha përmes programit politik t’ju ofrojë qytetarëve alternativa të mira ekonomike dhe sociale. Madje, Shehi gjatë reagimit për gazetën kërkoi gjithashtu nga shefi demokrat që të investohet duke mbështetur një ligj të ri zgjedhor.
“E dyta, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duhet të ofrojë edhe alternativë. Pra në këtë pikëpamje protestat duhen por njëkohësisht duhet të ofrohet një program i ri, si të thuash zgjidhje të reja në radhë të parë për ekonominë dhe pastaj sa i takon temave të mëdhaja që kemi përpara, siç janë dekriminalizimi i politikës, shoqërisë, ligj zgjedhor të ri, ndryshime kushtetuese, luftë me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, domethënë me metoda krejt ndryshe. Nga ana tjetër opozita duhet të vijojë me ofertat ekonomike dhe program. Pra këto janë të gjitha protestë denoncime dhe alternativë”, është shprehur ai.
Bojkoti i Parlamentit
Ndërkohë, teksa komentoi idetë e hedhura së fundmi nga eksponentë të ndryshëm të Partisë Demokratike dhe jo vetëm, sa i takon një bojkoti të mundshëm të Kuvendit nga ana e opozitës, Shehi u shpreh se ky vendim do të merret pasi të jenë ulur të gjitha partitë në tryezën e diskutimit. Megjithatë, deputeti Shehi zbuloi për gazetën se një çështje e tillë nuk është diskutuar ende mes partive opozitare, ndërsa shtoi se të gjitha këto ide janë aludime verore. “Sa i takon bojkotit të Parlamenti edhe kjo është një temë që me thënë të drejtën nuk e kemi diskutuar deri më sot. Megjithatë po të jetë që do ta marrim të gjithë si opozitë këtë vendim, sigurisht. Por unë besoj se vendimet do të merren të përbashkëta sa i takon gjithë partive të opozitës”, nënvizoi kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi./Rigels SELIMAN