Në mesin e spekulimeve në rritje se SHBA mund ta pranojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të ngërçit me Serbinë, përfaqësuesi i koalicionit qeverisës në Gjermani, Josip Juratoviç, tha dje se Bashkimi Evropian nuk do të ndikohet nga opinioni i Uashingtonit, por do të mbajë qëndrimin e tij kundër ndryshimit të kufijve ekzistues. “Pozicioni i Brukselit në lidhje me Marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën do të vendoset ‘ekskluzivisht’ në përputhje me rregullat e bllokut dhe pa u ndikuar nga opinion i SHBA”, tha anëtari i Bundestagut i lindur në Kroaci, duke shtuar se BE nuk është e gatshme të importojë probleme kufitare, pasi ka nxjerrë mësime me çështjen e debatit ekzistues mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Komentet e tij u mbështetën dhe nga ish-i dërguari special i BE për Kosovën, Wolfgang Petritsch, i cili tha se i druhet një “konflikti të ngrirë” dhe asaj që mund të jetë vetëm një “korrigjim kozmetik” i kufijve. “Në 2019 janë zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe kam frikë se përbërja e re e Komisionit Evropian mund ta shmangë zgjidhjen e çështjes e Kosovës. Koha pra, është esenciale në këtë rast”, ka thënë ai për gazetën serbe “Danas”.
Konflikti i fundit historik në rajon
Petritsche e përshkruan më tej përplasjen serbo-shqiptare si konfliktin e fundit historik ne rajon, prandaj kërkon që zgjidhja e saj të jetë medoemos e qëndrueshme. “Jam i vetëdijshëm se një ‘korrigjim administrativ’ i kufijve ka të meta potenciale në qoftë se nuk bëhet në bashkëpunim të ngushtë me OKB, BE e OSBE”, tha ai duke përsëritur se për çështjen ka folur dhe kancelaria gjermane Angela Merkel, e cila është shprehur kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve. Petritsche shton se nisur nga dialogu i komplikuar ndërmjet Beogradit e Prishtinës, duhen dëgjuar me kujdes personat qe marrin vendime në të dyja kryeqytetet përkatese, ndërsa i mëshon idesë se është momenti të mbyllen një herë e mirë të gjitha çështjet e hapura të këtij lloji në Ballkan, përfshirë këtu ngërçin mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Çështja e ndarjes apo e këmbimit të mundshëm të kufijve mes dy vendeve mbrohet me këmbëngulje në Kosovë nga presidenti Hashim Thaçi dhe në Serbi nga qeveria e Aleksandar Vuçiç. Madje nga këta të fundit, ministri i Jashtëm Ivica Daçiç, u ankua dje nga Rusia se nuk po shikonte vullnet për kompromis nga shqiptarët.
Lavrov: KFOR dhe EULEX të mbrojnë serbët
Teksa vijon debati Gjermani-SHBA, Bogradi ka filluar konsultat me Msokën. Dje ishte në Rusi ministri i jashtëm Ivica Daçiç. Në konferencën për shtyp me homologun Sergei Lavrov, ai tha se kërkesat e shqiptarëve janë dëshmi e mungesës së gatishmërisë për kompromis. “Të gjithë duan projektin e Shqipërisë së Madhe dhe për ata e gjithë kjo është pak, duan të vijnë në Nish. Ata do të merrnin gjysmën e Malit të Zi, gjysmën e Maqedonisë dhe në veri të Greqisë”, paralajmëroi Daçiç, duke përmendur më tej me ironi fakton se në Kosovë festohet ditëlindja e ish-presidentit amerikan Clinton. Ministri i jashtëm rus mbajti ison e homologut serb duke bërë thirrje që agjencitë ndërkombëtare të rendit në Kosovë, KFOR dhe EULEX të parandalojnë plotësisht çdo përpjekje për dhunën dhe vandalizmin në Kosovë drejtuar kundër serbëve ose vendeve fetare. “Ne ndajmë qëndrimin me Serbinë se ekziston nevoja për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në ndonjë linjë ndarjeje në Ballkan që mund të mbështesë parimin ose me ne ose kundër nesh”, tha Lavrov pas takimit Daçiç, duke shtuar se është absolutisht i sigurt se një e ardhme e qëndrueshme dhe e sigurt mund të sigurohet vetëm në kuadrin e bashkëpunimit të barabartë të ndërsjellë./Andi LAMKO