Pas RTSH, Agron Shehaj është shfaqur sot në një pikë shërbimi klienti të Ujësjellës Kanalizime Tiranë.
Teksa merrte si shembull njërën prej tyre, ai tha se vetëm kjo pikë shërbimi klienti u kushton qytetarëve 100 mijë euro në vit, ndërsa të gjitha bashkë marrin nga buxheti i shtetit rreth 40 milionë euro në vit.
“Dje isha te RTSH-ja dhe ju tregova se si nga 30 milionë euro mund të kursejmë të paktën 25 milionë euro, sigurisht pa e dëmtuar dhe ulur audiencën 0 pikë…përqind të RTSH-së. Më sulmuan gjithandej se dua thjesht të kursej paratë e qytetarëve duke luftuar shpërdorimin.
Këtu jemi përballë UKT-së, e cila i kushton qytetarëve shqiptarë plot 40 milionë euro në vit, për një shërbim që të gjithë e dimë se është skandaloz. UKT ka 1300 të punësuar, ndërsa Vodafone ka gjithsej vetëm 700.
Të gjitha bizneset shkojnë drejt mbylljes së pikave fizike dhe drejt online-t, ndërkohë UKT krijon pika të reja të shërbimit të klientit. Kjo që kemi këtu pas, kushton minimalisht 100 mijë euro në vit. Imagjinoni UKT-ja ka hapur vitet e fundit rreth 20 të tilla”, tha Shehaj.
Kreu i Mundësisë thotë se do të vijojë t’u tregojë qytetarëve se si 1 miliard euro mund të kthehen te ata nëpërmjet uljes së taksave, duke ulur shpenzimet e panevojshme në administratë dhe institucione.
Në fund, ka edhe një mesazh për ata që e kritikuan për RTSH-në. Shehaj thotë se këta mbështetës të status quo-së, ndoshta do të thonë se Shehaj pasi mbylli televizionin kombëtar, tashmë kërkon t’i lërë shqiptarët edhe pa ujë
“Unë do vazhdoj t’u tregoj se si mund t’u kthejmë shqiptarëve 1 miliardë euro. Nuk e di çfarë do të shpikin këtë herë mbështetësit e status quo-së, mbase do të thonë se Shehaj pasi mbylli RTSH-në do të mbyllë edhe ujësjellësin, dhe Shehaj sipas tyre do t’i lërë shqiptarët pa ujë.
Ju ftoj të më ndiqni, ndiqni edhe mbështetësit e status quo-së, sepse është shumë domethënëse”, tha ai.