TIRANA- POSTIMI:
Mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Elton Qyno
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë përshëndet vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila me një vendim unanim konfirmoi se sekuestrimi i të dhënave kompjuterike të gazetarit Elton Qyno ka përbërë shkelje të lirisë së shprehjes dhe të të drejtës themelore të gazetarëve për të mbrojtur burimet e tyre të informacionit.
Ky vendim përbën një precedent të rëndësishëm kushtetues dhe një sinjal të qartë për institucionet e drejtësisë që liria e medias dhe mbrojtja e burimeve nuk janë privilegje, por të drejta themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Asociacioni rithekson se në çdo shoqëri demokratike, gazetarët duhet të jenë të lirë të kryejnë detyrën e tyre pa frikë nga ndërhyrjet shtetërore apo presioni për të zbuluar burimet.
AGSH mbetet e angazhuar në mbrojtje të çdo gazetari dhe në promovimin e një ambienti mediatik të lirë, të pavarur dhe të sigurt në Shqipëri.