Gjykata e Posaçme dhe nënkryetari i saj që mban njëkohësisht detyrën e drejtuesit të institucionit, Erjon Bani, po bën politikë dhe fushatë, pasi pret që PD dhe Sali Berisha të fitojnë zgjedhjet dhe të përfitojë nga kjo.
Ky është edhe arsyeja kryesore e taktikës së zvarritjes pa fund në një rekord që po hyn në muajin e shtatë, të dosjes së aferës “Partizani” ndaj Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerëve.
Kështu deklaroi avokati Idajet Beqiri sot në “Studio Live” të Report Tv, i pyetur rreth rastit të pazakontë të zvarritjes së seancës paraprake, ku GJKKO ende nuk ëhstë e aftë që të marrë një vendim, teksa e shtyn me procedurë.
GJKKO dhe veçanërisht Erjon Bani janë futur në fushatë elektorale, po bën politikë. Sepse mendon se mos përfiton, mos fiton Saliu dhe bëhet kryetar, ndaj edhe po zvarritet kjo çështje pa fund, përtej çdo parashikimi ligjor. GJKKO dhe Bani presin fitoren e Berishës. Kjo është një situatë absurde dhe skandaloze, por Berisha nuk pyet as për ligj shteti dhe as për gjykatë. Fajtori kryesor i shtyrjes së dosjes është vetëm Gjykata. Sali Berisha është shpallur i pandehur, ka më shumë se një vit, ndaj edhe çështja duhet të ishte përfunduar nga Gjykata, jo ta zvarrisi me 7 muaj. Ose ta kthejë, ose të kalojë, këto rrugë janë, jo më shumë se një muaj është afati”, shprehet Beqiri për moderatorin Arbër Hitaj.
Madje ai shkon më tej, pasi ky rast i paprecedent dhe skandaloz duhet të shoqërohet me një kallëzim penal ndaj gjyqtares së dosjes.
“Tani afat ka mbetur vetëm t’i bësh kallëzim penal gjyqtares dhe ta çosh për hetim, pse e shkel ligjin? Ajo nuk ka asnjë justifikim për rastin. Por ka zgjidhje, sepse është avokati kryesisht, e parashikon ligji zgjidhjen. Nuk mund të zvarritet çështja pa fund, sepse ka Kod të Procedurës Penale, ka afate, nuk mund të shtyhet seancë pas seance. Nëse nuk vjen avokati kryesor, ka studio avokatie ai, dërgon avokatin tjetër dhe Gjykata ia kërkon. Por kjo është e qëllimtë”, thekson avokati.