Deputetët shqiptarë nuk jetojnë vetëm me pagën që marrin nga Kuvendi, pasi kanë dhe shumë të ardhura të tjera. Gazeta po publikon sot se cilat janë disa prej të ardhurave të tjera të tyre, ndërsa bie në sy se kanë shumë përfitime nga dietat dhe rimbursimet e karburantit. Ligji “Për statusin e deputetit” u jep të gjithëve të drejtën të përfitojnë dieta, rimbursim karburanti e telefoni dhe ky ligj po shfrytëzohet në maksimum.
Në nenin 14 të tij thuhet: “Deputeti që nuk banon në qytetin e Tiranës përfiton dieta gjatë kohës që merr pjesë në mbledhjet e Kuvendit, të komisioneve e mbledhjet e grupit parlamentar, ndërsa deputetët që banojnë në Tiranë përfitojnë dieta për ditët eshërbimit jashtë Tiranës. Modalitetet e përfitimit të dietave rregullohen me vendim të
Kuvendit. Dieta e Kryetarit, zëvendëskryetarëve dhe deputetëve do të jetë në masën4 për qind të pagës mujore të tyre. Deputeti që shkon me shërbim jashtë shtetit nga Kuvendi përfiton dietë ditore, sipas akteve të miratuara nga Kuvendi. Në rastet kur ai caktohet të marrë
pjesë në delegacionet qeveritare ose të institucioneve të tjera, shpenzimet mbulohen nga institucioni që e ka ftuar, duke përfituar dietën sipas akteve të miratuara nga Këshilli i Ministrave”. Gazeta më poshtë po nxjerr listën se sa dieta e rimbursime ka përfituar shumica e deputetëve nga taksat e qytetarëve. Lista është hartuar mbi bazën e deklarimit që ka bërë secili emër pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Por ajo që bie në sy është se përfitime të shumta kanë marrë jo vetëm deputetë e rretheve, por dhe ata të Tiranës.
Burimet e të ardhurave
Shumë prej deputetëve nuk e kanë saktësuar pranë ILDKP se sa dieta e rimbursime marrin, ndërsa shumë të tjerë e kanë treguar. Ajo që bie në sy është se më të shumtit kanë përfituar deputetë të PD dhe LSI, ndërsa nga PS kryeson Anastas Angjeli. Ai që ka përfituar më pak nga dieta është kryeministri Edi Rama, i cili ka deklaruar rimbursime rreth 500 mijë lekë të vjetra. Por mesatarisht deputetët në total kanë marrë rreth 3 milionë lekë të vjetra përfitime në vit nga dietat, rimburismet e karburantit dhe të telefonit.
Kjo do të thotë se 140 deputetë në total marrin rreth 40 milionë lekë të reja ose 400 milionë lekë të vjetra vetëm nga dietat e rimbursimet. Ka shumë të tjerë me përfitime të larta dhe nga udhëtimet jashtë vendit, pasi ligji u jep avantazhe. Gazeta po ashtu ka treguar dhe burime të tjera fitimi nga deputetët. Ka shumë që kanë biznese, të cilat do i tregojmë në ditët në vijim, ndërsa të tjerë përfitojnë nga mësimdhënia.
Ajo që bie në sy është se shumica e deputetëve japin mësim në universitet private, ndërsa në ato publike është shumë i ulët numri. Një ndër emrat që ka pasur të ardhura nga shumë institucione është Endrit Braimllari, i cili ka deklaruar: “Të ardhura nga paga si Drejtor Kabineti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë, 365 133 lekë. Të ardhura nga paga si Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, 288 612 lekë. Të ardhura nga paga vjetore neto që nga marrja e detyrës, 436 557 lekë. Të ardhura për rimbursim karburanti, 82 044 lekë. Të ardhura për rimbursim shpenzimesh telefoni, 46 467 lekë. Të ardhura nga honoraret për mbledhjet e komisioneve parlamentare, 17 000 lekë neto. Të ardhura nga dieta brenda vendit, 112 875 lekë”./ Kliti TOPALLI