Në një kohë kur teknologjia ka arritur në çdo skaj të globit, disa komunitete indigjene kanë zgjedhur të jetojnë tërësisht të shkëputur nga qytetërimi modern. Kohët e fundit, pamje ajrore të marra me dronë kanë zbuluar skena të rralla nga jeta e këtyre fiseve të pa kontaktuara, të cilat kanë mbetur thuajse të pandryshuara për mijëvjeçarë. Sipas Earth.com, këto pamje kanë ndihmuar në dokumentimin e mënyrës së tyre të jetesës dhe në ndërgjegjësimin për kërcënimet që u kanosen.
Një nga fiseve më të njohura që ka ruajtur izolimin e plotë është fisi Sentinelese, që jeton në ishullin Sentinel të Veriut, në Oqeanin Indian. Ata janë të njohur për rezistencën e tyre ekstreme ndaj çdo kontakti të jashtëm, duke përdorur harqe dhe shigjeta për të larguar të huajt. BBC raportoi më 2018 se misionari amerikan John Allen Chau u vra nga ky fis, kur tentoi të hynte në territorin e tyre me qëllimin për t’i kthyer në krishterim, një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe theksoi rrezikun e ndërhyrjeve të tilla.
Në anën tjetër të globit, në Amazonën e Brazilit dhe të Perusë, qindra fise të tjera të pakontaktuara vazhdojnë të jetojnë në pyjet tropikale, veçanërisht në Luginën e Javarit. Evening Standard publikoi më herët pamje me dron nga agjencia braziliane FUNAI, që tregojnë një grup anëtarësh të një fisi të pa kontaktuar duke ecur në një zonë të pastruar të pyllit, të armatosur me harqe dhe shigjeta – një tjetër dëshmi e mënyrës primitive të jetesës dhe vigjilencës së tyre ndaj të huajve.
Së fundmi, New York Post raportoi për pamje të reja të publikuara në korrik 2024, që tregojnë fisin Mashco-Piro në Amazonën Peruviane duke u shfaqur pranë lumit Las Piedras – një sjellje e pazakontë për këtë komunitet, që zakonisht shmang çdo kontakt me botën e jashtme. Pamjet sugjerojnë se fiset janë duke lëvizur më afër zonave të rrezikuara për shkak të shpyllëzimeve dhe grabitjes së tokës.
Ekspertët paralajmërojnë se kontaktet e padëshiruara me këto komunitete mund të jenë katastrofike. Siç thekson Earth.com, këto fise nuk kanë imunitet ndaj sëmundjeve moderne si fruthi apo gripi, të cilat mund të kenë pasoja fatale për ta. Për këtë arsye, agjencitë si FUNAI në Brazil dhe autoritetet indiane zbatojnë politika të rrepta për të mbrojtur izolimin e tyre.
Dronët, përveçse kanë ofruar një dritare të rrallë mbi ekzistencën e këtyre fiseve, kanë ndihmuar edhe në evidentimin e rrezikut të vazhdueshëm që u kanoset nga prerjet ilegale të pyjeve dhe ndërhyrjet e jashtme. Por gjithashtu, ato kanë ngritur sërish pyetjen e madhe etike: a duhet t’i lëmë këto komunitete të jetojnë sipas mënyrës së tyre, apo kemi një detyrim moral për t’i integruar në botën moderne?
Për momentin, shumica e studiuesve dhe organizatave të të drejtave indigjene bien dakord se respektimi i izolimit të tyre është forma më e drejtë dhe më humane për t’i mbrojtur, si nga rreziku fizik, ashtu edhe nga ai kulturor.