Vila miliona euro të fshehur nën emra kompanish, bashkëshortesh, kunetërish, kushurinjshë, e çfarëdo lloj personi, që nuk e ka problem të bëj lavatriçen e parave të pista që qarkullon në Shqipëri sot gjenden pa hesap e gëlojnë kudo serbes.
Duke qenë se asnjë nga shkallët e drejtësisë nuk funksionon dhe institucionet e zbatimit të ligjit për deklarimin e pasurisë bëjnë sehir, duke certifikuar pronën dhe të ardhurat e paligjshme, shqiptarët shohin çdo ditë pasurimin në kurriz të tyre të gjithfarë horri politik.
Janë pikërisht këta politikanë “të varfër”, që për çudi nuk rezultojnë me prona në emër të tyre, por “fati” ka dashur që të rrethohen nga bashkëshorte milionere në lekë edhe në euro, kushurinjë më të pasur se gratë, kunetër më të kamur se të gjithë këta të marrë sëbashku.
Nëse doni të kuptoni se sa i kamur është një politikan shqiptar, mjafton të hetohet pasuria e njerëzve përreth tij! Me sa duket, kjo skemë qenka djegur, ndaj së fundmi ka dal moda për fshehjen e parasë së pisët nën emra kompanish apo oligarkësh.
Pas investigimit të Ekskluzive.al, më së shumti ky fenomen gjen zbatim tek kompleksi i biznesmenit Samir Mane, në vilat e “Green Coast”, në Palasë. Sipas burimeve konfidenciale brenda kompanisë “Balfin Group”, që zotërohet nga Samir Mane, biznesmeni i darkës së famshme me ministra e pushtetarë, rezulton se disa prej pronave të pushtetarëve tanë fshihen pas pronarësh kompanish, ku shpesh emri i tyre është lakuar në media për skandale apo përfitimi tenderash e miliarda nga qeveria.
Investigimi është bërë për disa nga komplekset turistike më të mëdhaja në vend, si ai i Qerretit apo i Lalëzit, ku dalin emra të ish-ministrave, të Erion Veliajt, nënkryetarit të Bashkisë dhe ish ministres Ermonela Felaj… vilave rezidenciale në “Kodrën e Diellit”, “Long Hill” apo “Rolling Hill”… por edhe të apartamenteve luksoze disa qindra mijëra euro tek “Ambasador 3”, të përfituar nga drejtorë e nënpunës mediokër të shtetit, me një rrogë modeste.
Sipas burimeve konfidenciale të gazetës, brenda kompleksit nuk janë vetëm ministra, politikanë, e gazetarë apo bankier, por edhe njerëz të botës së nëntokës, të cilët kanë blerë jo pak prona në këtë kompleks, që i kalojnë disa milion euro pasuri, të pozicionuara në një prej zonave më të bukura të jugut të Shqipërisë, e cila jo vetëm u zaptua, por edhe sot ka probleme të theksuara me pronën, pasi kompleksi është ndërtuar mbi truallin e disa pronarëve të tjerë, duke pasur zhvendosje 28 metra mëposhtë dhe 65 metra më majtas pozicionit aktual, për të cilin do flasim në një artikull të radhës.
Për shkak të volumit, në këtë artikull të parë, Ekskluzive.al do të zbardhi vetëm emrat e pushtetarëve, bankierëve, ish-zyrtarëve të lartë, që jetojnë apo kanë pronotuar tek kompleksi i vilave në “Green Coast”, në Palasë, pronë e biznesmenit Samir Mane. Mëposhtë mund të gjeni disa prej këtyre emrave:
1. Ministri Arben Ahmetaj pushon në Vilën e tij luksoze me pishinë, më saktë vila 73, një prej vilave më të shtrenjta dhe luksoze të kompleksit për shkak të pozicionit. Vila në fakt rezulton në pronësi të një kompanie shumë të përfolur në media që ka përfituat miliarda nga shteti. Vlera e vilës thuhet se është blerë rreth 360 mijë euro, por ka një kosto shumë më të lartë, duke pasur parasysh që sot vetëm pas një viti ajo vlen të paktën dyfish, e pamobiluar.
2. Taulant Balla, pushon në vilën 48 në kompleksin luksoz, e cila vlerësohet të jetë blerë 330 mijë euro, shumë më lirë se vlera reale. E përbashkëta e vilës së Taulant Ballës dhe Arben Ahmetaj, është se kanë të njëjtin pronar, biznesmenin e përfolur shpesh herë në media se ka lidhje me këta pushtetarë. Gjithashtu kryetari i grupit parlamentar ka dhe një apartament tek “Ambasador 3”, nën emrin e të njëjtit biznesmen, e ndërtuar nga “Balfin Group”, gjithashtu në pronësi të Manes.
3. Ministri Blendi Klosi pushon në vilën 70, prapa vilës së pronarit të “TV Klan”, Aleksandër Frangaj, në emër të një biznesmeni mjaft të njohur në këtë zonë, i cili po ndërton një kompleks pak më poshtë në bregdetin e Dhërmiut, i cili çuditërisht ka investuar qindra mijëra euro në një vilë të një konkurrenti të tij në ndërtim apo tendera. Sipas burimeve konfidenciale, ministri Klosi ka ndërtuar edhe një kat nëntokë pa leje në vilën e tij!
4. Ish Ministri i LSI-së Ylli Manjani, banon në vilën e tij në fillim të kompleksit, e nuk fshihet fare si kolegët e tjerë. Madje po të kalosh pranë vilës, ai gjithmonë është i gatshëm të të përshëndes me babaxhanllik.
5. Ndërsa nga PD, deri tani flitet se Oerd Bylykbashi, ka një apartament në këtë kompleks, politikani i vetëm nga e djathta që banon në kompleksin luksoz.
6. Ardian Fullani, ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë që u shkarkua nga detyra dhe u arrestua në vitin 2014 për zhdukjen e rreth 713 mln lekëve ose 6.6 mln dollarëve nga arkat e BSH, pushon në Vilën 76 të kompleksit luksoz. Fullani u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës, edhe pse prokuroria ngriti disa akuza dhe kërkoi dënimin e tij me burg. Pafajësia i dha mundësi atij të kërkojë dëmshpërblim dhe përfitoi 42 mln lekë të reja për shkarkim të padrejtë nga BSH dhe dëm moral, të cilat siç duket do i ketë investuar në vilën e tij të luksit për të harruar ngjarjen e rëndë.
7. Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, pronar i vilës 60/1, në emër të gruas Elona Sejko. Vlera e vilës vlerësohet 450 mijë euro pasi guvernatori e ka marrë atë të mobiluar me nje vlerë që shkon nga 80-100 mijë euro. Por edhe pse vila kushton disa qindra mijëra euro më shtrenjtë, guvernatori e ka marrë me vlerë 250 mijë euro. Pronarja Elona Sejko, bashkëshortja e guvernatorit është drejtoreshë e “Tirana Bank”, e blerë para disa vitesh nga biznesmeni Samir Mane.
8. Në këtë kompeleks jeton edhe gazetari i njohur Blendi Fevziu, i cili ka në pronësi një vilë me vlerë 440 mijë euro, por ndryshe nga gjithë të tjerët, ai e ka në emër të tij.
Në prag të zgjedhjeve, BE dhe SHBA janë treguar shumë të prerë përsa i përket kandidatëve të partive politike në Shqipëri, duke i bërë thirrje drejtuesve të këtyre partive të zgjedhin kandidatë me integritet, pasi vetëm një politikë e papërlyer në afera dhe korrupsion, mund të jetë garancia e vetme për ndërtimin e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ambasadorja Yuri Kim, theksojë në një deklaratë të bërë ditën e sotme, se: “…shqiptarë nga të gjitha sferat e jetës më thonë se shqetësimi i tyre më i madh është korrupsioni, mungesa e transparencës dhe pandëshkueshmëria, që kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre!/Ekskluzive.al