Ashtu si në Kampionatin Europian të vitit 1960, kur diktatori spanjoll Franko nuk pranoi që Bashkimi Sovjetik të luante në Madrid ndeshjen eliminatore për fazën e dytë të turneut, në edicionin e vitit 1964 një çështje e tillë politike përfshiu edhe Shqipërinë me Greqinë. Të vënë përballë njëra-tjetrës për fazën e parë eliminatore, përfaqësuesja jonë kuqezi e pa veten të katapultohet në fazën tjetër të këtij kompeticioni.
Arsyeja ishte politike, pasi këta të fundit, duke qenë se kishin në fuqi “ligjin e luftës” dhe marrëdhënie tejet të acaruara, vendosën të dorëzojnë pjesëmarrjen e tyre. Politikanët e asaj epoke, të nisur nga ndjenjat e mëdha të urrejtjes, nuk donin të viheshin përballë Shqipërisë dhe, për të shmangur edhe një rëndim të mëtejshëm të propagandës së kësaj çështjeje, vendosën t’ua dhurojnë kualifikimin në tavolinë kuqezinjve në shifrat 3-0.
Pas këtij avancimi, Shqipëria e udhëhequr nga Panajot Pano pati fatin e keq të luante përballë Danimarkës së të frikshmit Ole Madsen, i cili e shkatërroi kombëtaren tonë në gadishullin nordik me shifrat 4-0. Gjithsesi, në takimin e kthimit në Tiranë, shqiptarët arritën fitoren e nderit, me rezultatin 1-0, me gol të “magjistarit” Panajot Pano, duke u eliminuar me nder.
Ka qenë pikërisht ai, goli i parë i shënuar në fazën eliminatore të një turneu të rëndësishëm. Bie në sy që humbjen e pësuar në Danimarkë, në stolin e kuqezinjve ishte Loro Boriçi, ndërsa disa muaj më pas, kur në “Qemal Stafa” danezët u thyen 1-0, Kombëtarja e Shqipërisë kishte trajner të ri, Zyber Konçin./Eduart Illnica/Konica.al/