Aktivistja Evi Kokalari ka ngritur akuza të forta në drejtim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe aleatit të tij politik Fatmir Mediu, duke kërkuar hetim të menjëhershëm nga SPAK për lobime të dyshuara në Shtetet e Bashkuara.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Kokalari ka vënë në qendër të akuzave ish-këshilltarin e Donald Trump, Paul Manafort, një figurë e njohur dhe e dënuar në SHBA për afera lobimi të fshehura.
“Boll pyetët sa po paguhet LaCivita, po filloni të pyesni sa po paguhet Paul Manafort. Të kesh Manafort në krah dhe të thuash që këta s’janë lobistë, është kulmi i hipokrizisë”, shkruan Kokalari.
Sipas saj, një ish-kongresmen amerikan i ka konfirmuar që presidenti brazilian Bolsonaro gjithashtu ka punësuar Manafort për të lobuar kundër gjykatësit Alexandre de Moraes dhe presidentit aktual Luiz Inácio Lula da Silva. Vetëm pagesa paraprake për kontratën – e njohur si “retainer” – ka qenë 400 mijë dollarë.
“Sa e vërtetë është nuk di t’ju them”, vijon ajo, “por ju garantoj që Manafort është një nga lobistët më të shtrenjtë”.
Më tej, Kokalari përmend edhe faktin që ish-partneri i Manafort është regjistruar si lobist për Berishën në vitin 2023, sipas ligjit amerikan FARA (Foreign Agents Registration Act).
“Tani do të na mbushë mendjen Berisha që këta s’po lobojnë për t’i hequr ‘non-gratën’? Gjykojeni vetë nga gjoba që ka marrë Manafort pas dënimit në SHBA – 24 milionë dollarë”, shkruan ajo.
Në fund të deklaratës, Kokalari i bën thirrje organit të posaçëm të drejtësisë që të veprojë urgjentisht.
“SPAK duhet të hetojë edhe Berishën, edhe Fatmir Mediun për këto lobime dhe pagesa! Mos flini gjumë, se vendi është në rrezik”, tha ajo.