Vetëm pak javë më parë, disa media shqiptare e portretizonin si një hero të guximshëm të fjalës së lirë – një tribun të së vërtetës që sfidonte “sistemin” me të dhëna të dala nga dosjet sekrete të SPAK-ut. Por ndërkohë që lavdia ndërtohej mbi skandalet e përditshme dhe përhapjen e dokumenteve që nuk kishin as interes publik dhe as etikë profesionale, realiteti paralel po gatuhej nga gjiganti i teknologjisë: Google e përjashtoi CNA Media dhe Elvi Fundon përfundimisht nga YouTube.
Jo vetëm që kanali kryesor u mbyll, por edhe çdo tentativë për të hapur kanale të reja u shua si fishekzjarre në shi. YouTube nuk i bleu dot përrallat për “liri mediatike” – sepse, siç rezulton, nuk ishin përralla gazetareske, por histori hajnie të përsëritura.
Nga apartamenti në “televizion”: Çfarë ishte CNA Media në YouTube?
Pasi hapi një televizion që operon nga një apartament (ndoshta për të kursyer taksat, ndoshta për efekt dramash), CNA nisi ofensivën mediatike me video të mbushura me përmbajtje fyese, shpifëse dhe të ripërsëritura – aq sa edhe algoritmi i YouTube nisi të kruante kokën.
Objektivat? Emra të mëdhenj të medias, si Top Channel dhe drejtuesit e saj, por jo vetëm. Nga pronarë, te gazetarë dhe bashkëpunëtorë, të gjithë u futën në listën e zezë të CNA-së. Një betejë që në çdo vend normal do të përfundonte në Gjykatën e Tiranës për shpifje dhe fyerje.
Por përse ndodhi përplasja me YouTube? Jo për fjalën e lirë. Jo për zërin e opozitës. Por për diçka shumë më të thjeshtë: vjedhje.
Vjedhje vizuale dhe “zë gazetarësh” mbi materiale të të tjerëve
CNA Media jo vetëm që sulmonte të tjerët, por i përdorte materialet e tyre pa leje. Dhe nuk bëhej fjalë për citime apo përdorime të drejta për qëllime informimi, por për inskenime të plota: kamera të paguara nga televizione të tjera, operatorë, montazhierë, editorë – të gjitha të futura pa pikë turpi në video të CNA-së, të mbuluara pastaj nga “zëri gazetaresk” i kanalit.
YouTube reagoi: ky nuk është gazetari, është pirateri. Dhe kështu u mbyll kanali për herë të parë.
Kush ishin bashkëpunëtorët e CNA-së?
Kanali menaxhohej teknikisht nga kompania Faber Media, në pronësi të Anxhela Faber. Por as kjo kompani nuk e shpëtoi dot CNA-në nga përjashtimi, përballë ankesave të vazhdueshme të televizioneve që denonconin vjedhjet e materialeve të tyre.
Përpjekja e fundit për t’i shpëtuar katastrofës ishte përfshirja e një avokati gjerman, Z. Sven Dierkes, por ai më shumë u përfshi në një telenovelë ballkanike sesa në një proces ligjor perëndimor. Në seancat gjyqësore, Fundo u paraqit fillimisht si personi përgjegjës – por pastaj, me një kthesë dramatike, deklaroi se për gjithçka është përgjegjëse kompania City News Albania sh.p.k, sepse ai vetë “nuk ka asnjë akses në platformat online të medias”.
Dhe pikërisht këtu vjen kulmi i farsës.
Në një moment deliri mediatik, Fundo – duke dashur t’i tregojë Anxhela Faber masat e tij të reja kundër mediave që dikur i vidhte – dërgon një mesazh në numrin e vjetër të saj. Por numri që përdori nuk ishte më i Anxhelës… por ishte numri që ajo përdorte kur punonte në Acromax Media, kompania që mbron të drejtat e autorit për të njëjtat media që CNA i grabiste.
Ky mesazh është si një rrëfim me firmë e vulë: Fundo jo vetëm që ka akses, por edhe menaxhon dhe publikon artikujt vetë. Pa shumë ndihmë ligjore, pa shumë mbulim strategjik. Vetëm pak gabime që do i bënin krenarë edhe personazhet e “Parodive të Estradës”.
Informatori i SPAK dhe gabimi fatal
Çështja më e rëndë mbetet megjithatë në sferën e drejtësisë: si dolën dokumentet e SPAK dhe përfunduan në duart e Elvi Fundos? Kjo pyetje ende nuk ka marrë përgjigje, por një gjë është e qartë: ata që i besuan CNA-së për të “denoncuar” nuk përzgjodhën një media me integritet – por një media që është kapur në vjedhje sistematike të përmbajtjes së të tjerëve.
Ndaj edhe “heroi” i dokumenteve sekrete përfundon tashmë si hajduti i përjashtuar nga YouTube.
Rrjetet e tjera të CNA: të njëjtët artikuj, faqe të tjera
Pas YouTube dhe Facebook – që mbylli faqen e CNA disa muaj më parë – CNA nuk dorëzohet. U blenë me shpejtësi faqe memesh, jo për të publikuar meme, por për të ripostuar të njëjtat artikuj dhe sulme të zakonshme, të maskuara në një mjedis tjetër, në mënyrë që të shmanget njohja automatike nga platformat.
Në Instagram janë hapur profile të shumta, për të pasur rezervë operative në rast se ndonjë prej tyre mbyllet. Strategjia është e qartë: sa më shumë profile, aq më shumë kohë për të vazhduar aktivitetin para se të zbulohesh.
Ndërkohë, në Shqipëri po zhvillohen disa çështje penale dhe civile kundër CNA Media. Në njërën prej tyre, provat janë dorëzuar në valixhe për shkak të volumit absurd të materialeve – një metaforë perfekte për absurdin e vetë CNA-së.
Përfshirja e pamjeve të filmuara në dhoma të mbyllura të institucioneve shtetërore, ku ligjërisht ndalohet çdo regjistrim, vetëm sa e thellon profilin e shkeljeve: privatësi, etikë, përgjegjësi ligjore – të gjitha janë përbuzur.
Përshtypja përfundimtare?
CNA Media dhe Elvi Fundo mund të marrin shumë etiketime – por jo atë të një media të vërtetë. Në vend të gazetarisë, kemi një model informal dhe abuziv të përdorimit të informacionit, të të drejtave të autorit dhe të platformave sociale.
Një strukturë që hedh baltë mbi të tjerët duke përdorur materiale të vjedhura dhe që vetë shpallet si viktimë e sistemit, ndërkohë që është e përjashtuar nga Google, Facebook dhe shumë shpejt… edhe nga kujtesa publike.