Luftën antikorrupsion në Shqipëri shumë shpejt pritet ta marrin gjyqtarë dhe prokurorë nga jashtë. Edhe pse reforma po has mjaft vështirësi, viti 2019 do e gjejë Shqipërinë me Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. BE ka vënë kusht që deri në qershor kjo strukturë duhet të ngrihet dhe procedurat do të përshpejtohen në ditët në vijim. Por gazeta ka mësuar se frika e hartuesve të reformës është nëse do të gjenden prokurorë dhe gjyqtarë të aftë për këtë pozicion. Gara do ta hapet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe të parët që kanë të drejtë të marrin pjesë janë anëtarët e Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Por paralelisht me ta, gazeta ka mësuar se do të synohet të merren emra nga jashtë vendit. Në të gjitha ligjet e vendit, të arsimuarit nga jashtë vlerësohen me pikë më shumë se ata që janë arsimuar brenda vendit. Kur u hap gara për kandidatë të KLGJ dhe KLP nga radhët e shoqërisë civile dhe të avokatëve, pati shumë vështirësi në zgjedhjen e kandidatëve, në atë kohë qeveria dhe ambasadorët bënë thirrje për emra nga jashtë. Momentalisht ka shumë juristë shqiptarë që kanë studiuar jashtë dhe janë duke punuar atje.
Po ashtu ka dhe gjyqtarë e prokurorë që kanë punuar në vendin tonë në vitet e para të demokracisë dhe kanë emigruar më pas në vende të ndryshme të botës, kryesisht në SHBA. Edhe këtyre do u bëhet thirrje që të kandidojnë. Frika më e madhe e ndërkombëtarëve është se kandidatët tremben nga monitorimi. Sipas ligjit, të gjithë anëtarët e SPAK do të jenë në përgjim telefonik dhe po ashtu do u mbikëqyren llogaritë bankare. E njëjta gjë do të ndodhë dhe me familjarët e tyre. Gazeta ka mësuar se SHBA po synon të gjejë njerëz që nuk kanë shumë angazhime familjare. Nëse shohim në Maqedoni, Kroaci dhe Rumani, pjesë e strukturave antikorrupsion janë bërë kryesisht gra dhe emra beqarë.
E gjithë kjo bëhet që të ketë sa më shumë mundësi presioni ndaj anëtarëve. Në Shqipëri ka pasur jo pak raste kur gjyqtarë e Krimeve të Rënda janë kërcënuar në sallë për fëmijët e tyre. Në kushtet që janë vendosur në ligj, prioritet kanë studimet dhe trajnimet jashtë vendit. Prokuroria e Posaçme do ketë fillimisht 10 prokurorë, ndërsa për gjykatën ende nuk ka një përcaktim, por që sigurisht ajo do të ketë shumë më tepër, pasi do gjykojë me 3 ose 5 anëtarë. Me përcaktimet në Kushtetutë dhe në ligj, nëse plotësojnë kushtet, automatikisht emërohen ata që kanë studiuar dhe punuar jashtë, pasi diplomat e tyre kanë vlerë më të lartë. Kjo do të thotë se SPAK do jetë në duart e emrave të arsimuar në vendet të BE e SHBA dhe politika do e ketë shumë të vështirë të ushtrojë presion.
Punonjësit e tjerë
Përveç prokurorëve dhe gjyqtarëve, SPAK do të ketë dhe punonjës të tjerë, kryesisht ekspertë. Sektorë e tjerë në SPAK do të jenë: Kancelari; Sektori i Dokumentacionit; Sektori i Ekspertizës; Sektori i Hetimit Financiar; Sektori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndërlidhjes për Hetimet e Përbashkëta; Sektori për Asistencën për Individët me Status të Posaçëm; Koordinatori për Marrëdhënien me Mediat. Sipas ligjit, Kancelari i Prokurorisë së Posaçme, është nëpunësi civil më i lartë i Prokurorisë së Posaçme, i cili mbikëqyr veprimtarinë e personelit administrativ, administron mjediset e punës, dosjet, arkivin, shërbimet mbështetëse dhe financat e Prokurorisë.
Sektori i Dokumentacionit do kryejë këto detyra: mbledh në mënyrë sistematike të dhëna për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar; krijon dhe mban një bazë të dhënash që shërben si burim informacioni në procedimet për vepra penale; i përcjell Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë të dhëna statistikore sipas kompetencave të tyre, etj. Prokuroria e Posaçme do ketë në personel ekspertë që ndihmojnë në hetime dhe mund të dëshmojnë në gjyq. Ndërsa Sektori i Hetimit Financiar në Prokurorinë e Posaçme verifikon mjetet financiare dhe pasuritë e personave nën hetim dhe raporton rezultatet te prokurori i posaçëm kompetent. Të gjithë këta sektorë do plotësohen përmes konkurseve. Po sipas ligjit, të gjithë ata që kanë studiuar jashtë kanë prioritet përballë emrave vendas/ Kliti Topalli