Komisari Engjëllush Avdulajn rezulton ndër të vetmit komisarë policie, i cili ka denoncuar dhe është përballur me kërcënimet e Elvis Martinajt, i cili sipas Nuredin Dimanit, i ka ofruar këtij të fundit 500 mijë euro për të hequr qafet Endrit Doklen.
Prapaskena mëson se përplasja ka ndodhur në tetor të vitin 2013, ku sapo kishte nisur operacioni “Fundi i Marrëzisë” dhe policia kishte bllokuar makineri e automate të lojërave të fatit, gjë që e dëmtonte biznesin e Ervis Martinajt, ashtu sikurse edhe rezultoi më vonë.
Më 20 tetor të vitit 2013, në kulmin e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, kundër lojërave të paligjshme të fatit, Ervis Martinaj kërcënon shefin e repartit special “Shqiponja” në drejtorinë e policisë së Tiranës, Engjëllush Avdulaj, se do ta vrasë.
Të paktën kështu pretendon Avdulaj.
Sapo reparti “Shqiponja” dhe komisariati numër 3 i Tiranës kishin sekuestruar rreth 400 makineri lojërash fati dhe 25 makina luksoze në një magazinë të Ervis Martinajt, Avdulaj ka deklaruar se Martinaj e ka marrë në telefon, duke e kërcënuae se do ta eliminojë.
Komisari Avdulaj ka bërë kallëzim penal për këtë rast.
Ai e ka denoncuar Ervis Martinajn për kanosje me jetë për shkak të detyrës në komisariatin numër 2. Pas kallëzimit penal, nisi procedim penal në gjendje të lirë për Ervis Martinaj.
Pas rrëfimeve të Nuredin Dumanit, Martinaj është shpallur në kërkim nga SPAK. Ende mbetet e paqartë se pse Martinaj kërkonte të godiste Endrit Doklen.
Nga ana tjetër, njerëzit e Martinajt po goditen prej tre vitesh nga disa grupe kriminale, të lidhur me oligarkë, policë dhe politikanë.