Një pjesë e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vetingu janë dorëzuar përballë KPK. Teksa pritej që nga 21 emrat që u përjashtuan nga sistemi, të gjithë t’i drejtoheshin Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, nuk ka ndodhur kështu. Një pjesë e madhe e tyre kanë pranuar gjetjet e KPK dhe nuk kanë dashur të ecin më tej. Vetë Komisioneri Publik në faqen zyrtare ka publikuar një listë me 23 emra për të cilët nuk ka pasur asnjë ankim prej tij. Në këtë listë ka emra të cilët janë dorëhequr, shkarkuar apo janë konfirmuar në detyrë dhe vetë komisioneri nuk ka pranuar ankimin.
Por ajo që bie në sy është se ka shumë emra të njohur për të cilët nuk ka pasur asnjë apelim. KP ka refuzuar ankimin për shkarkimin e ish-prokurorit të Apelit, Gentian Trenova; shkarkimin e ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha; shkarkimin e ish-anëtares së Kushtetueses, Altina Xhoxhaj, etj. Pra për të gjithë këta emra Komisioneri Publik ka qenë dakord me vendimin e KPK për t’i larguar nga drejtësia, paçka se gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar i janë drejtuar vetë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të ankimuar vendimin.
Sakaq, Komisionerët Publikë nuk janë ankuar tek KPA as për disa raste ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur për rikonfirmime në detyrë. Më konkretisht, komisioneri ka mbështetur vijimin e detyrës për: gjyqtarin e Apelit Tiranë, Ilir Toska; gjyqtaren e Kurbinit, Marçela Shehu; prokuroren e Prokurorisë së Përgjithshme, Anila Leka; prokurorin e Krimeve të Rënda, Dritan Prençi; gjyqtaren e Tiranës, Manjola Xhaxho; prokuroren e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj dhe për anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.
Për të gjithë emrat që Komisioneri Publik, por as vetë gjyqtarët dhe prokurorët nuk i janë drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, mbetet në fuqi vendimi i KPK, qoftë për rikonfirmimin e tyre në detyrë ose edhe për shkarkim sepse tanimë ka kaluar edhe afati prej 15 ditësh i ankimimit.
Të dorëhequrit
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në ditët e para të gushtit mbylli procesin e rivlerësimit për pjesën më të madhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve të listës prioritare. Plot 21 emra të sistemit të drejtësisë u shkarkuan nga komisionerët e vetingut kryesisht për shkak të problemeve me pasurinë, por edhe prej lidhjeve me botën e krimit. Ndërsa plot 27 emra gjyqtarë dhe prokurorë arritën të rikonfirmoheshin në detyrë.
Por pati dhe shumë dorëheqje, ku për shumicën komisioneri refuzoi apelimin. Më konkretisht, Komisionerët Publikë (KP) nuk i janë drejtuar KPA për rastin e ish-gjyqtares së Gjykatës së Durrësit, Merita Xhani, e cila u dorëhoq pak para se të kalonte në sitën e vetingut dhe procesi i rivlerësimit për të u ndërpre.
As për ish-gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Brunilda Kasmi, e cila po ashtu u dorëhoq para se të dilte në seancë dëgjimore komisionerët nuk apeluan. Ndërkohë, emra të tjerë që u dorëhoqën para se të jepnin llogari para vetingut e që Komisioneri Publik nuk u ankua janë: ish-prokurori i Beratit, Ermir Beta; ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj; ish-gjyqtari i Apelit të Vlorës, Ilir Çeliku; ish-këshilltari ligjor pranë Gjykatës së Lartë, Erlindi Basha; ish-gjyqtari i Elbasanit, Ilir Pashaj; ish-ndihmësja ligjore pranë Gjykatës së Lartë, Etleva Sherifi; ish-këshilltari ligjor pranë Gjykatës së Lartë, Adnand Bërdica dhe ish-këshilltari ligjor i Gjykatës së Lartë, Eritan Shehu./ Mimoza Ibra