Partitë politike në vend duket se kanë filluar llogaritë sa i takon zgjedhjeve vendore të vitit tjetër. Edhe pse qershori 2019 është gati 10 muaj larg, të gjitha forcat politike e dinë fare mirë se zgjedhjet vendore do të jenë tregues për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Por partia më e rrezikuar duket se është Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi kjo parti rrezikon shkrirjen për disa arsye. E para, është e lidhur ngushtë me rezultatin e asaj ç’ka do të prodhojë qershori i 2019 për partinë e Kryemadhit, pasi këto zgjedhje vendore në një farë mënyre do të vendosin fatin politik të LSI. Dhe për të ndalur këtë katastrofë, gazeta mësoi se Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur të marrë masat.
Një burim i tha gazetës se Kryemadhi në shtator pritet që t’i bëjë Bashës një propozim sa i takon zgjedhjeve vendor. Ajo synon që t’i marrë Bashës mbi 10 bashki, në mënyrë që LSI të dalë e vetme dhe me kandidatët e saj në zgjedhjet vendore përballë Partisë Socialiste dhe të mbështet fort nga Partia Demokratike. Sipas burimeve, mësohet se kryetarja e LSI përveç bastioneve dhe administrimin e disa nga bashkive aktuale ka shprehur ambicien edhe për marrjen e disa bashkive më të mëdha siç është Elbasani.
Pra me anë të kësaj lëvizje, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që të mbijetojë në jetën politike, pasi në rast se partia e Kryemadhit humbet në zgjedhjet vendore, ajo jovetëm që do të shkojë e gjymtuar në zgjedhjet politike të vitit 2021 por aty do të vuloset edhe kapitullimi i kësaj force politike.
Degët e PD të ndara për bashkëpunimin
Megjithatë, gazeta mësoi se si Partia Demokratike ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se janë në dilemë për t’i dhënë hapësirë njëra-tjetrës. Nga njëra anë është baza demokrate, degët e PD, madje edhe disa nga deputetët e saj që në mënyrë sistematike kanë dalë hapur kundër LSI. Madje, ata nuk kanë nguruar që ta bëjnë fajtore LSI, sa i takon humbjes që PD korri në zgjedhjet parlamentare të vitit që lamë pas. Ndërkohë që dyshime sa i takon “besnikërisë” së Lëvizjes Socialiste kanë edhe vetë eksponentët më të lartë të Partisë Demokratike, pasi kanë frikë se nëse i japin LSI mbi 10 bashki, ajo në zgjedhjet e ardhshme parlamentare mund të ikë me Partinë Socialiste.
Nga ana tjetër, mësohet se skeptike ndaj PD-së është edhe vetë LSI-ja, pavarësisht nëse demokratët do t’i japin ose jo asaj bashkitë e kërkuar për zgjedhjet vendore Kryemadhi i druhet një bashkëpunimi të fshehtë Rama-Basha, si ai i 17 majit. Kështu që situata duket se e vendos Lëvizjen Socialiste për Integrim midis dy zjarreve. Nga njëra anë është frika se ndoshta PD-ja nuk do t’i lëshojë pe për bashkitë e kërkuara. Dhe nga ana tjetër frika se humbja në zgjedhjet vendore do ta çojë partinë e Kryemadhit drejt shkrirjes.
Mos harrojmë që LSI është parti interesash dhe pas goditjes që i dha Rama duke i shkarkuar mjaftë militantë nga administrata, një humbje e bashkive që ka aktualisht do t’i largonte automatikisht edhe shumë militantët të tjetër, eksod ky që do të ndikonte negativisht tek LSI. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht./Rigels SELIMAN