Volejbolli e basketbolli ishin të fortë dhe masiv një herë e një kohë. Skuadrat tona konkurronin denjësisht deri në fazën finale të kompeticioneve europiane, por tani këto sporte kanë rënë në cilësi dhe në sasi, duke mos prodhuar konkrrencë në rang ndërkombëtar.
Kështu, Shqipëria në volejboll për meshkuj gjunjëzohet 3-0 nga Portugalia në Grupin D të eliminatoreve të Europianit. Në sfidën e luajtur në qytetin e Setubalit djemtë kuqezi të drejtuar nga Jani Melka u munduan të bënin diçka të mirë, por vendasit ishin më konkretë në momentet vendimtare, duke i fituar të tre setet.
Në fakt, në dy setet e para pati më shumë rivalitet, por vendasit triumfuan 25-21 dhe 25-20. I treti i shndërrua në formalitet, pasi Shqipëria arriti të shënonte gjithsej vetëm 15 pikë.
Këtë të dielë, më 19 gusht, Shqipëria do të luajë ndeshjen e saj të dytë në këto eliminatore, teksa në Tiranë do të mbërrijë kombëtarja e Austrisë, ndërkohë që skuadra e katërt në grup është Kroacia (do të luajë pas një jave). Disfata e mbrëmshme nuk e ndihmon skuadrën kombëtare të volejbollit të shkojë larg, megjithëse ndeshjet në grup sapo kanë nisur. /Pamfleti Sport