Pas një konsulte të shpejtë me LaCivitën, Muli më në fund e gjeti zgjidhjen për “Bufin” me të cilin Rama krahason Doktorin.
LaCivita i shpjegoi se bufi është simbol i largpamësisë dhe zgjuarsisë.
Ai i tha se bufi këndon natën ngaqë ka aftësi të shikojë në errësirë dhe jo në dritë.
Dhe, sipas tij, Shqipëria aktualisht është në errësirë, dhe i vetmi që shikon përtej saj është Doktori.
Kjo është arsyeja pse edhe ai vetë duhet ta bëjë bufin simbol të vetes dhe të fushatës së tij.
Shpjegimi i LaCivitës iu duk shumë bindës Mulit.
Ishte pak a shumë si ideja e tij që të marrë në koalicion edhe Gjuzin, për t’ia shpërqendruar vëmendjen kundërshtarit.
Muli thirri Lelon dhe i tregoi planin e punës.
I shpjegoi pse duhet t’u themi demokratëve që Doktori është buf – por buf i mirë.
— E kuptoj, tha Lelo.
Shpjegimi i LaCivitës është shumë kulturor, dhe është një debat i madh nëse është bufi apo kukuvajka ajo që vajton, por problemi ynë është se tani të gjithë e dinë “buf këneta”. Këtë si do ta shpjegojmë?
— Siç e ka thënë dhe Ilir Meta, Doktori dhe Ilir Meta janë njerëz malesh, jo njerëz moçalesh.
Nga moçalet e ka origjinën Edi Rama.
Ai është nga këneta e Durrësit me origjinë.
Ndërsa ata vijnë nga Shkëlzeni dhe Tomori.
Aty ka veç bufa largpamës.
— Ky është një argument, tha Lelo.
Por do të na duhet punë që të përmirësojmë biografinë e bufit.
Ne mezi po rregullojmë biografinë e Doktorit, të merremi tani dhe me bufin?
— Janë të lidhura këto gjëra, tha Muli.
Çdo ndihmë për bufin është ndihmë për Doktorin. Dhe anasjelltas.