Muli pati një ditë shumë të suksesshme dje në takimet në Bruksel.
Dy vëllezërit e tij dhe kunata belge, që janë shtetas të Shqipërisë dhe janë trajtuar nga Enti i Banesave si të pastrehë duke u dhënë shtëpi në Sarandë gjatë kohës kur Muli ishte drejtor i Bordit të Entit të Banesave, kishin përgatitur gjithçka.
Kur Muli mbërriti, salla ishte e mbushur plot.
Vëllai kryesor i Mulit, Mevlani, kishte organizuar gjithçka, përfshirë edhe disa persona që herë pas here ndërprisnin Mulin duke thirrur: “Rroftë Muli!”.
Takimi shkoi shumë mirë.
Pas tij, Muli vuri re se njerëzit nuk donin të largoheshin, por dëshironin ta takonin personalisht.
Ai u vendos në një cep të lokalit, afër derës, për t’u dhënë dorën të gjithëve.
-Zoti të ruajt, tha i pari që iu afrua.
Vëllai yt më ka thënë që, nëse fiton përsëri, Muli e di çfarë bën.
Krejt ne do të marrim nga një apartament në Sarandë.
-Patjetër, tha Muli. Herën e parë, njeriu duhet të rregullojë të vetët.
Siç thonë nga anët tona: Kur s’di të rregullosh avllinë tënde, nuk mund të ndihmosh komshiun.
Pak më vonë erdhi i dyti:
-Të ruajtë Zoti! Vëllai yt më tha që do të na japësh nga një apartament të gjithëve.
A mund të jetë në Velipojë, vëlla, se e kemi larg Sarandën?
-Patjetër, tha Muli. Jepi emrin vëllait dhe do të të kontaktojmë.
I treti ishte më këmbëngulës dhe kërkonte një bisedë kokë më kokë.
-Afrohu, tha Muli. Fol ngadalë që të mos na dëgjojë njeri.
-A bën të ma japësh atë shtëpi në Shëngjin, se jam prej Lezhe.
Deri në Sarandë, ku ndan ti këto shtëpi, është pak larg, tha personi.
-Patjetër, tha Muli. Por mos i trego askujt.
Kështu vazhdoi për orë të tëra.
Kur bëri llogaritë, Muli arriti të kuptojë se në sallë kishte pasur rreth 200 veta, pasi kishte marrë po aq kërkesa me shkrim për shtëpi në bregdet.
-Dhe pastaj thonë që korrupsioni është gjë e keqe, i tha Muli, Lelos.
Një gjë të vogël kam bërë dhe shiko sa shumë përfitime elektorale kemi!
Le më të kishim vjedhur sa këta socialistët.