Nga maji 2024 deri në tetor, çmimi i naftës me pakicë në Shqipëri ra nga 184 në 175 lekë. Një çmim me të cilin tregtohet mesatarisht edhe sot në pikat e karburanteve. Bëhet fjalë për një ulje prej vetëm rreth 5 përqind.
Nëse e zhveshim nga strukturat e larta të taksave, atëherë reduktimi i aplikuar nga tregtarët shqiptar shkon në afro 12 përqind.
Por çfarë ka ndodhur në këtë hark kohor në tregjet ndërkombëtare?
Në bursën e Londrës në maj të vitit të kaluar një fuçi nafte tregtohej me 87 dollarë për fuçi. Në gusht dhe tetor çmimi ra më tej, ndërsa pak ditë më parë në 10 prill, ishte në nivelin 64 dollarëve: 23 dollarë më pak ose 26 përqind më i ulët.
Edhe treguesi referencë i naftës së përpunuar, Platts, sipas të cilit importojnë kompanitë në Shqipëri ka zbritur nga 746 dollarë/ton në maj të vitit të kaluar, në 604 dollarë/ton në 10 prill, kur janë të dhënat e fundit të doganës. Një llogari e thjeshtë, dëshmon se importuesit shqiptarë e kanë blerë të paktën 19 përqind më lirë.
Por përveç luhatjeve në bursë, një tjetër faktor që do të duhej të ishte reflektuar në çmimin me pakicë në Shqipëri, është dhe zhvlerësimi i dollarit. Ndërsa në maj të vitit të kaluar, monedha amerikane këmbehej me 93 lekë, më 10 prill ajo kishte rënë me 6 lekë, ose 6 përqind.
Po ashtu, që prej gushtit të vitit 2024, mbi çmimin e karburante nuk rëndon më taksa e markimit e cila ishte 2 lek për litër. Po asnjë prej këtyre faktorëve nuk ka patur asnjë lloj reflektimi në çmim.
Gjatë vitit 2022 kur në fuqi ishte Bordi i Transparencës, që caktonte çmimet për shkak të inflacionit të lartë, importuesit e naftës pohonin se ata e blejnë naftën në bazë të çmimeve ditore të bursës, çka duhet të ishte reflektuar në treg direkt.