Gazeta “TemA” e ka nxjerrë së pari emrin e Atjon Zhitit, botoi një shkrim që një gazetë e huaj në Itali, “Osservatore romane” e Vatikanit, shkruante për atë, më saktë për një vizatim të tij, Nënë Terezën nga duart e një fëmije…
Dhe kur u rrit, student, ka botuar shkrime, vëzhgimeve të tij rinore që ai solli, me atë vrullin studentor, qartësinë dhe porositë si “kredo” dhe ndjehen po aq aktuale e të freskëta.
Atjoni studionte për filozofi në Itali, në Universitetin “Sacro Cuore” të Milanos. Ndërkaq ishte dhe anëtari më i ri i PEN Clubit italian, po kështu dhe anëtar i Parlamentit Rinor Europian, përfaqësonte të rinjtë shqiptarë..
Atjon Zhiti është autor i librit, “Për atë që dua(m)”, (bot. 2015) një përmbledhje me ese, recensa, poezi, intervista e përkthime të një 19 vjeçari, i pritur me dashuri nga lexuesi, sidomos të rinjtë dhe kritika, ku guximi në ide gërshetohet me ëndrrën dhe përkushtimin, që bëjnë të besosh se brezi i ri di të dojë, të kërkojë dhe të presë nga vetja, ku vizioni lidhet me kritikën konstruktive, për të ecur përpara si vend.
Po kështu në Prishtinë enti botues “Bogdani” ka nxjerë librin “Jam Atjoni”, përmbledhje skicash dhe shkrimesh të ndryshme.
Para se të dilte albumi i madh “Opera Atjon” (në shqip dhe italisht, bot. 2017), ku janë riprodhuar të gjithë vizatimet dhe pikturat e tij të fëminisë dhe adoleshencës, me vlerësime nga studiues e kritikë arti nga vendi, më pas dhe nga të huaj, ishin hapur dhe ekspozita me punime të Atonit në mjedise universitare.
Artikuj të Atjonit kanë dalë në shumë media në Shqipëri e Kosovë dhe në diasporë, në Itali, Zvicër, Mbretëria e Bashkuar, SHBA. Pjesë të tyre janë përkthyer dhe në gjuhë të tjera si italisht e rumanisht. Po kështu ka dhe botime të tjera, libra të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit me kopertina dhe ilustime nga Atjon Zhiti. Për “Studentin e përhershëm” siç e quan gjenerata e tij, kanë folur dhe shkruar personalitete të njohur të kulturës shqiptare, por dhe asaj të huaj.
Në Romë, në një nga kishat pranë Piazza “Navona” është dhënë koncerti për violinë dhe piano, kushtuar Atjonit.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Fëmijë “Giffoni” ka dhënë çmimin me emrin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, ku ai bënte pjesë dhe ishte dalluar në takimet në Shqipëri dhe Itali.
Dhe në letërsi jepet çmimi ndërkombëtar “Atjon Zhiti” nga Shoqata e Shkrimtarëve “Bogdani”, me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel. Ky çmim së pari shkoi në Argjentinë, më pas në Itali dhe së fundmi në Japoni.
Emri i Atjonit është bërë më i njohur dhe më i dashur për të gjithë që e kanë njohur apo lexuar. Ai çeli një rrugë dashurie e dritë për të rinjtë dhe vërtet në Tiranë është emërtuar dhe “Rruga e Atjonit”, ajo në hyrje të Parkut të Madh, që bashkohet me Rrugën “Faik Konica”, të cilin ai e adhuronte.
Në nderim të Atjonit tonë, si ideal dhe frymëzim në këto 10 vjet për gjenratën e tij, po risjellim tre tema, që nuk janë në librin e tij…
ATJON ZHITI
Tema: LIRIA E FJALËS (por dhe gojështhurje)
Të ndjehesh i lirë është një nga të drejtat themelore të individit. Por me fjalën liri përfshin shumë nëntema të saj. Një ndër më të rëndësishmet është liria e fjalës. Ne jemi një popull që dikur lirinë e kemi pasur tabu të paprekshme, aq të paprekshme sa as nuk mund të mendonim të lirë e jo më të flisnim. Por kjo tanimë i përket së shkuarës, sepse sot jetojmë një realitet krejt të kundërt. Sot jo vetëm mendojmë e shprehemi lirisht, por nuk arrijmë të ndajmë lirinë tonë të fjalës nga gjykimi… Liria e shprehjes mbron jo vetëm të drejtën për të dhënë informacion, por edhe të drejtën për të marrë informacion, pra mbrohet jo vetem folësi, por edhe shkruesi apo konsumuesi i ideve, informacioneve dhe opinioneve. “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.”[1] Dhe njeriu, ky është një qënie e lirë, por që ka limite në lirinë e tij. Sepse siç thuhet, “Liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit”[2]. Pavarësisht se fjala na dhurohet ta përdorim lirisht, ne bëjmë gabimin më të madh: “Njerëzit kërkojnë lirinë e fjalës si kompesim për lirinë e mendimit, të cilën rrallë e përdorin”[3] dhe kjo na çon në rrugë të gabuar, në rrugën e gojështhurjes, ofendimit deri në injorance. Pas këtij përdorimi na vjen ndot nga pasojat e pakëndeshme që perfundojnë deri në tragjizëm. Sa e sa veta janë vrarë për një fjalë goje dhe kjo nuk është liri e shprehjes, por kjo na çon në humbje të kontrollit të vetvetes dhe në ndërmarrjen e veprimeve të pakthyeshme me pas. Të gjithë thonë se unë kam të drejtë dhe se personi tjetër nuk më vlerësoi dhe nuk u soll si duhet, gjithnjë është tendenca për ta vlerësuar veten tonë, ndërkohë duke kundërshtuar dhe ofenduar palën tjetër. Por ne nuk kuptojmë që në një debat të fyeshem, duhen dy persona. Nuk e kemi menduar ndonjëherë që, nëse dëshirojmë të kemi një bashkëbisedim të frytshëm dhe debat pa ofendime, atëherë duhet ta fillojmë bisedën me mirënjohje dhe lavdërime të virtyteve ndaj bashkëbiseduesit tjetër, por jo, më e lehtë është fyerja, sepse kemi në dorë “lirinë e fjalës”. E tillë është natyra njerëzore, nxitini ata që me kënaqësi t’i kryejnë detyrat, t’i zgjidhin problemet dhe situatat e pakëndshme dhe asnjëherë mos u mundoni të jeni imponues dhe qortues duke dashur të arrini atë që ju doni, dhe do ta arrini, sepse një fjalë e mirë vlen me shumë se çdo gjë tjetër.
Tema: RACIZMI GJINOR (Diskriminimi)
Sot në botën që ne jetojmë, shohim që përballemi me një shoqëri në thelb maskiliste. Harrojmë që “Gratë janë edukatoret e para të sojit njerëzor”[4] dhe si të tilla duhen trajtuar me respektin dhe dashurinë që meritojnë. Githë jetën jemi në dorën e një gruaje që kujdeset për birin, bashkëshortin apo atin e saj. Përpara saj gjendet gjithmonë një mashkull, i bërë superior, por jo deri në diskriminim. Sa bukur e thote Hygoi i madh “Ju sodisni yjet për dy arsye: se shkëlqejnë dhe janë të paarritshem, por përbri jush është një shkëlqim edhe më i brishte, dhe me një të fshehtë edhe më të thellë, gruaja”[5]. Por sa keq që fjalët e tij janë vetëm fjalë, që dëgjohen dhe kaq. Dëgjohen vetëm me veshë. Ne, njerëzit, jemi të çuditshëm, kemi kaq shumë mospëlqime edhe nën të njëjtën çati, kaq shumë hatërmbetje, diskriminime, racizëm, të cilat mund të përfundojnë dhe në tragjedira të mëdha. Femrat vetë nga brishtësia që i karakterizon, të cilën Zoti ua ka dhuruar jo për inferioritet, por për nevojë kujdesjeje, duhet të jenë pikërisht kështu, të kujdesura nga shoqëria mashkullore. “Uji më i shtrenjtë në botë janë lotët e grave”[6] dhe si të tilla duhen ruajtur me fanatizëm e jo të shpenzohen pamëshirshëm dhe dhembshëm, aq më pak nën përdorimin e dhunës.
Dhuna është e shumëllojshme, si ekonomike, sociale, psikologjike që manifestohet përmes kërcënimeve fizike. Të nëpërmendim: gruaja kërcënohet me shkurorëzim, nëse nuk lindëte djalë, kjo është një injorancë, raste të tilla ka pasur dhe ka akoma edhe sot, kjo nuk mund të justifikohet assesi, duke menduar se kjo është rruga e zgjidhjeve të problemeve. Burri ushtron dhunë ndaj gruas edhe kur është i dehur, në presionin e alkoolit, të cilat përfundojnë tragjikisht, kjo dukuri fatkeqësisht është e pranishme edhe në shoqërinë tone.
Vërtet thuhet që gruaja ka dalë nga brinja e mashkullit në librat e Zotit, por gjithashtu thuhet: “Trajtoni mirë gratë tuaja, jini të sjellshem me to, sepse ato janë partneret tuaja dhe ndihmëtaret tuaja të besuara”[7], dhe këtë e marrim si një prekje dhe këshillë hyjnish duke e ruajtur brishtesine e asaj, që quhet “Grua”.
Tema: GUXIMI – FITORE APO HUMBJE
“Arritjet e mëdha kërkojnë ambicie të medha”[8]. Këtë na këshillon Herakliu antik, që bashkë me këshillen e tij na jep forcë të guxojmë. Çdo qenieje në këtë planet i është dhënë guximi si dhuratë, që na shtyn të ecim përpara në rrugën e fitores tonë. Sepse për mua guximi është padyshim një fitore. Dhe nëse zhgënjehesh sërish, ke fituar shumë.
Të jesh guximtar, do të thotë absolutisht të jesh triumfues me pishtarin e flakës së fitores në duar. “Guxo të bësh atë çka i ka hije njeriut, kush guxon më tepër, nuk është njeri.”[9] Kjo është përballja e parë me të mbinatyrshmen, me Zotin. Por mos të harrojmë, që guximi është instiktiv, ai rrjedh përbrenda duke mos treguar një arsye.
Përdorimi në mënyrë të mençur i guximit, në momentin e duhut dhe për gjera jo të dëmshme për veten dhe të tjerët, është tregues i një personi që do të ketë sukses dhe jo i një personi që do të humbë.
Mbi të gjitha guximi është nevojë instiktive e individëve për të ecur përpara në triumf. Këshilla e Morgan Freeman “Unë gjithmonë u them fëmijëve të mi që, nëse shtriheni, të tjerët do të shkelin mbi ju, por nëse vazhdoni të ecni, qoftë dhe zvarrë, të ecni, se dikush gjithmonë do t’ju zgjasë dorën. Gjithmonë. Por duhet të vazhdosh të vallëzosh, duhet t’i mbash këmbët në lëvizje.10, lëvizje që nënkupton moslejimin të jesh i nënshtruar, pavarësisht rrethanave, në fund të fundit ky është guxim.
Guximin nuk mund ta quajmë fryt të fitimtarëve. Ai që përdor guximin, është në të gjitha rastet fitimtar duke rritur besimin e tij për të vazhduar përpara.
Por guximtarët i ndajmë në të mençur dhe jo të mençur, por jo në fitimtar dhe humbës. Ata janë fitues, pasi dhe nëse marrin pasoja të pakëndëshme nga guximi i tyre, ata sërish kanë fituar një përvojë të vlefshme për jetën e tyre.
“Fati ndihmon vetëm guximtarët” 11 . Dhe kjo është fitore
KANË THËNË PËR ATJONIN
Studenti ynë i çmuar e aq shumë i dëshiruar në Kursin e Laurimit në Filozofi… që është i nderuar duke patur Atjonin në gjirin e vet.
Rektori Franco Anelli
UNIVERSITETI KATOLIK “SACRO CUORE”
MILANO, ITALI
Joshës dhe nxitës, gjithçkaje ishte i aftë t’i bashkonte një histori, një legjendë, një citim, për më tepër një përvojë të vetën. Ishte si të lexoje një libër të mirë, me shumë e shumë faqe.
Olimpia Franchina
Studente në “Sacro Cuore”. Milano, Itali
Atjoni, ky djalë i qeshur, plot shpresë, plot me të ardhmen e një filozofi të madh do të mbetet gjithmonë aq i bukur, aq i edukuar…
Hadam Oudghiri
pedagoge universitare në Milano, Itali
Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…
Sebastiano Grasso
Poet, President i PEN Clubit, Itali
Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…
Robert Elsie
Albanalog kanadez, Gjermani.
Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues… dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme… për të komunikuar.
Gëzim Qendro
Studiues, kritik arti, Tiranë.
Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqësi…
Luan Topçiu
Kritik arti, studiues, Bukuresht.
Atjoni i vogël e ka kuptuar… (dhe dha) një “strategji politike” të madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.
Giampaolo Mattei
Gazetar Italian, Romë.
…libri i Atjonit – testamenti i Tij për Shqipërinë… që do t’u drejtohet bashkëmoshatarëve të Tij më fatlumë. Ai do të jetë si Ungjilli për ta…
Eugjen Merlika
Studiues, historian, Itali.
Kapja e universit në të gjitha dimensionet… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…
Gëzim Tafa
Kritik arti, botues, Tiranë
Në shkrimet e Atjonit ka filozofi, jo si diçka abstrakte, por të lidhur me politikën, jo në kuptimin e politikës sot, por si te grekërit e lashtë, pjesë e jetës, ndërkaq të lidhura me aktualitetin…
Mauro Geraci
Antropolog, studiues i letrave shqipe, Itali.
Atjoni e thotë qartë se çfarë ne duam… Brenda syve të tij sikur shkëlqente një realitet tjetër… më i bukur, më rinor… që pasqyrohet në çfarë ai la të shkruar… prej të njëjtit material me atë të shpirtit. Atjoni nga njeri i përveçëm është kthyer në simbol të përgjithshëm…
Andreas Dushi
Shkrimtar
Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…
Helena dhe Ismail Kadare
Shkrimtarë
…një xhevahir krijimtarie… Libri i Atjonit do të vendoset në sektorin e artit në bibliotekën e dikasterit e do të mbetet si dëshmi e një figure që bëri shumë për kulturën në një hark të shkurtër kohe, që na dha shenjën e gjenialitetit të tij.
Kardinal Gianranco Ravasi
Biblist, kritik arti.
Ministër i Kulturës, Vatikan.
…Atjoni shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.
Adonis Poet, Paris, Francë
Është tronditese, një mrekulli në ngjyra… Një fëmijë që mbledh kështu një civilizim 4000 vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë… Atjoni ka ndjerë shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.
Padre Marko I. Rupnik
Teolog, muzaiçist, Universiteti Gregorian. Romë.
[1] Frasheri.S
[2] Proverbe e lashte
[3] Kierkegard.S
[4] Hipel
[5] Hygo.V
[6] Karli.Xh
[7] Surja 33,Ajeti 35 Kur’an
[8] Herakliu
[9] Shekspeare.W
10 Freeman.M
11Vi