Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka publikuar për herë të parë katalogun e pasurive të sekuestruara, me synimin për të rritur transparencën dhe efektivitetin e administrimit të këtyre pasurive.
Për herë të parë në historinë e Agjencisë, të gjitha pasuritë që ndodhen nën administrimin e saj po regjistrohen dhe po bëhen publike përmes katalogëve zyrtarë, duke krijuar një standard të ri transparence dhe llogaridhënieje.
Pronat e sekuestruara përfshijnë vila luksoze, apartamente, garazhe, toka bujqësore, biznese të ndryshme, automjete.
Mes qindra pronave, në listë janë pasuritë e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit apo pronat e dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit, i cili ndodhet në arrest shtëpie për korrupsion.
Vila e Kryemadhit te Kodra e Diellit, mes luksit dhe arredimit të përzgjedhur me kujdes, vlerësohet të kushtojë 51.7 milionë lekë, me një sipërfaqe totale të të gjitha ambienteve, gati 620 m2.
Në katalog rezultojnë të jenë përfshirë dhe 15 nga më shumë se 30 pasuri sekuestruar bosit të lojërave të fatit, i zhdukur prej gati 3 vitesh, Ervis Martinaj. Përveç mijëra metrave katror tokë are dhe truall në Fushë Kuqe dhe zona të tjera, deri në jug të vendit, rezultojnë edhe 2 vila në Tiranë, e para me vlerë 8.4 milionë lekë për 580 m2, dhe e dyta vilë 2 katëshe në Dajt, me ambiente ndihmëse si kënde lojërash dhe sipërfaqe të madhe përreth, për të cilën nuk ka të përcaktuar një vlerë.
Këto objekte janë nën sekuestër preventive dhe duhet të sekuestrohen me vendim gjykate të formës së prerë, gjë që është vështirë të ndodh, ku provë është Santa Quranta e Balilit dhe dhjetra objekte tjera gjoja të sekuestruara.