Nga Anri Bala
Të erdhi “fati në dorë” moj Art, e nëse do që të të flas me gjuhën e tyre… të na i “heqësh qafe” njëherë e mirë kriminelët të veshur me atributin e shpifësit, atentatorit, kërcënuesit, vrasësit të padënuar! Ti nuk i shikon moj Art, se nga përgjumja juaj, ata janë egërsuar… tamam si lukuni ujqërish në dimrin e acartë, kur nuk kanë se çfarë të humbasin, duke sulmuar kudo e cilindo. Ata janë trimëruar, sepse nuk e kanë pësuar, derisa vazhdojnë edhe sot t’i bëjnë bisht plumbit të gjuetarit… drejtësisë. Ndaj, ne të lutemi me pikëllim: Na shpëto nga tufat e grabitëqarëve… duke i ndëshkuar, në ke Zot!
Ne jemi të “trullosur” prej skenarëve të tyre të dështuara, që për fajin tuaj, nuk e përcaktojmë dot gjininë, nëse janë drama apo komedi, ndaj “rrimë tuj qesh, me gojën vesh më vesh, e tuj qesh… jemi tuj vdek”! Po “vdesim” moj Art, nga marazi, duke parë disa bij bushtrash, që trimërohen e egërsohen me ne… a thua se i kanë ende nënpunësit e tyre brenda pallatit të padrejtësisë, që mbyllnin dosjet e tyre kriminale, si favore ndaj pushtave pushtetarë.
I mban mend, si i kanë përcjellë ish-kolegët e tu, njërën duke e kërcënuar si “lavire”, sepse u doli krahë katër trupave të pajetë të shtrirë mbi bulevard, krim i pranuar nga e njëjta gojë kriminale, që guxon e na kërcënon edhe sot?! Ndërsa sejmenin e tyre të fundit, e mbrojtën si mjeshtër për të mos bërë asgjë dhe sot, nuk i ka mbyllur hesapet me drejtësinë. Nëse “laviret”, janë makthi i tyre… mos e harro atëherë, se lavirja e tyre do jetë heroina jonë!
Të padënuar e të pacënuar, ata e ndjejnë veten më të fuqishëm… sepse u ke lënë dhëmbë në gojë të lehin, e të kërcënojnë, se kanë fuqi të kafshojnë, herë si konellaps duke të të kërcënuar verbalisht, e herë si hiena, duke vënë në dyshim profesionalizmin tënd dhe të kolegëve të tu.
Ne rrimë, shohim të dëshpëruar, se si tallen ata me ju, kur kllounët e “shfaqjeve të dështuara”, të vetmen lavdi, do ishin disa duartrokitje të vakëta në ambjentet e rekreacionit në burg. Por ju, keni zgjedhur të shihni, se si ata na kërcënojnë e na frikësojnë me paprekshmërinë e tyre, atribut, që ja jep apatia juaj.
Arta, unë sot kam frikë, por jo se nëpër qytete enden banda rrugëve, as nga atentatet me eksploziv, as nga vrasjet, plagosjet apo kanosjet, as nga narkotrafiku… por një grup lacash që e quajnë veten politikanë, që kërcënojnë në emër të ligjit me antiligjin…!
Dje, dhuna arriti kulmin me atentate tritoli… kineastët e dështuar të Shqup-it, janë kthyer në kriminela, që kanosin ditën për diell, e urdhërojnë “hjeksat” e tyre të mbarojnë punën e nisur, në emër të kauzave të tyre të rrejshme.
Njësoj sikur sulmonin komisariatin e Fushë-Krujës me atentate tritoli, rrëzonin shtylla tensioni, apo zhurmonin natën pa adresë, për të dhënë idenë se ata nuk kishin ikur, e pushteti i tyre i humbur, ishte…. tmerrues dhe hakmarrës.
Është e frikshme dhe jashtë çdo lloj imagjinate përshkallëzimi i dhunës ndaj viktimës, me gjithfarë makinacionesh e soj e sorrollop gazetari, polici apo këndezi, që nuk këndon, por leh në emër të… ujkut, kur nuk është as qen.
Sa dëshirë kemi, që njëherë të vetme, 48 orë t’ua shtrëngonin duart prangat këtyre kodoshave të dhunës verbale dhe morale, si çdo njeriu të dyshuar në botën normale. Mirëpo, këtu tek ne, edhe bota e kafshëve do të trembej nga raca e këtyre “kopilave”, që ka prodhuar politika shterpë e hazdisur. Qenie të përçudnuara, shpërfytyruara, të frikshme, që duhen pastruar duke i kastruar, nëse nuk duam të shtohen dhe shumohen si këlysh bushtrash rrugësh.
Arta, bëhu burrneshë dhe guxo të shikosh rreth e rrotull! Vërtet nuk shikon se si rrjepacakët e dikurshëm, sot nuk kanë vetëm ora të shtrenjta, por gjithçka të shtrenjtë, që vetëm Zoti mund të gënjehet që është lart në qiell… për “pastërtinë” e poshtërsisë së tyre?!
Ah moj Arta, sa të kam besuar, por kur shikoj se damkoset si i korruptuar një zyrtarë, që paguhet sa një roje WC publike dhe kap hekurat e burgut për pesëqind lekë, më duket se je qorruar… apo frikësuar… apo nënshtruar… apo urdhëruar… për të na trembur ne…se drejtësi nuk do ketë kurrë….edhe me ty, edhe pa ty!
Nuk do ketë, sepse ato që flasin në emërin e ish moralit, i pranojnë gjithë të zezat që kanë bërë, me shkëlqimin pohues e akuzues të parajsës së tyre të krijuar nga hiçi, të shenjtëruar nga mosveprimi i juaj. Si mund të ketë, kur keqbërja duket sheshit dhe keqbërsi kopil i politikës sundon sheshin dhe ha përsheshin me lugë floriri?! Arta, të përgjerohemi mos na zhgënje, se ka ardhur fundi! Na jep të paktën vetëm një shembull… të shpresojmë tek heronjtë, që “tredhin lavirët” e trimëruar nga frika, që mos të na vdesi ajo që vdes e fundit… shpresa!/Ekskluzive.al