Shqipëria duhet të mbyllë negociatat me Bashkimin Evropian deri në 2027.
Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama gjatë takimit me të rinjtë e njësisë 1, 2 dhe 3 në Tiranë për Shqipërinë 2030 në BE.
Rama i veçoi zgjedhjet parlamentare të Majit si unike, krahasuar me ato të mëparshmet. 11 Maji për kryeministrin, është takim me historinë. Referuar kështu, rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Nuk ndodh që në zgjedhje të shkosh në takim me historinë. Në përgjithësi shkon për takim për të dhënë edhe ti mendimin tënd në momentin që populli thirret të votojë. Në përgjithësi vendoset se ç’do ndodhë për ekonominë, arsimin, rritjen e pagave apo shëndetësinë”, tha Rama.
Rama u shpreh se “këto negociata deri në 2027 janë negociatat më të shpejta në historinë e BE-së pas një rasti shumë të veçantë që ka qenë Finlanda që i ka bërë për një vit. Tre vjet negociata se mund t’ju thonë çfarë është kjo histori ka 12 vjet Edi Rama thotë se do ju çojë në BE dhe tani thotë më jepni katër të tjera se 12 nuk më dolën.
Po Mali i Zi që ishte shumë përpara nesh kur morëm detyrën në 2013 i kishte filluar negociatat në 2012 pse nuk është në BE. Meqë e ka fajin këtu Edi Rama, po Maqedonia e Veriut që është bërë kandidate në 2005”.
“Ne kandidatë u bëmë pasi e morëm ne Shqipërinë dhe u bëmë kandidatë se nuk i afrohej kush fare. Po Serbia që i ka hapur negociatat në 2014 pse nuk është në BE. Sepse negociatat me BE- në janë një marrëdhënie dypalëshe, ti bën detyrat e tua ata duhet të bien të gjithë dakord”, tha Rama.
“Për arsye të tyre përveçse se për fatin që ne kemi bërë detyrat ata kanë hapur derën dhe kanë hapur derën dhe siç duam ne të hyjmë për herë të parë që nga viti 1991 duan edhe ata që ne të na marrin brenda.
Por kjo do të thotë që ajo dera e hapur nuk rri e hapur pafundësisht. Ajo është dera, është hapur dhe ata na kanë vënë përpara planin dhe na kanë thënë deri në 2027 duam t’i mbyllim negociatat me ju që do të thotë ne duhet të punojmë ditë-natë çdo ditë për t’i hapur këto negociata të gjitha dhe për t’i mbyllur deri në 2027”, tha Rama.
Më tej, këshilloi qytetarët që të bëjnë një kërkim të thjeshtë në internet për të kuptuar se çfarë përfaqëson sipas tij Partia Demokratike.
“Kërkoni në Google, Partia Demokratike 1997. Partia Demokratike 1998, 2008, PD 2011. 4 data që mos të zgjatet. 21 janar, PD. 14 Shtator 1998. Futuni në YouTube për qejf, futuni e shiheni se ndoshta nuk i dini të gjitha. Nuk ka fare diskutim zgjedhja”, deklaroi Rama.