Kryeministri Edi Rama doli sot në një komunikim në rubrikën e tij “Sy m’sy” më ndjekësit virtualë në rrjetin social, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe problematikave të ngritura.
Kryefjala ishte pikërisht anëtarësimi në BE si mundësi e artë që i ka ardhur vendit aktualisht, teksa kreu i mazhorancës kërkoi votën më 11 maj pikërisht për këtë projekt që prej dekadash kanë qenë ëndrra e shqiptarëve.
Rama e quajti “votë gjeopolitike” 11 majin, duke e perifrazuar me një historik të kohës së Skënderbeut, Rilindjes dhe Luftës së Dytë Botërore, kur kishte Europë por nuk kishte BE.
“Më 11 maj është një votë gjeopolitike, e shikoni se çfarë situate komplekse është Europa dhe Bota dhe futja në atë familje evropiane është çështje ezistenciale, s’mund të rrimë jashtë, s’mund të jemi delja që e ha ujku, aty duhet të rrimë, aty e kemi vendin, aty kanë dashur ta shohin të parët tanë që në kohën e Skënderbeut kur s’kishte BE por kishte Europë, në kohën e Rilindasve kur s’kishte BE, por kishte Europë kur Naim Frashëri thoshte dielli lind në Perëndim, kur mbaroi lufta botërore Europa ishte aty, por s’kishte BE, edhe kur ra komunizmi Europa ishte aty dhe e kërkuam. Ndaj më 11 maj të votojmë për hyrjen në Bashkimin Evropian, ka arsye politike por ka dhe arsye personale”, tha Rama.