Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me shqiptarët në ishullin e Kretës në Greqi.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Rama tha se PS sot është si PD në vitin 1992, në vendin dhe kohën e duhur, për ta futur vendin në Bashkimin Europian.
Ai me ironi u kërkoi të pranishmëve që të bindin mbështetësit e Berishës që ta braktisin atë në zgjedhjet e 11 majit.
“Atyre të kënetës jepuni një peshqir, thajuani flokët, jepuani edhe dorën, ngrojuani edhe zemrën dhe u thoni ta braktisin bufin, ta braktisin kënetën, ta braktisin për një moment në histori fanellën partiake dhe të vishen të gjithë kuqezi në 11 maj.
Në vitin 1992, të gjithë ata që kanë votuar për PD-në, jo se ishin anëtarë dhe se u pëlqente bufi kur ishte i ri, por kanë votuar për PD-në se në atë moment në histori, ishte forca e duhur në vendin e duhur.
E njëjta gjë është edhe në 11 maj. Të bëhemi një shumicë më e fortë se asnjëherë, për t’i thënë 27 vendeve anëtare të BE-së, se shqiptarët duan të jenë pjesë e pandarë e BE-së. Efkharisto”, tha Rama, shkruan A2 CNN.