Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar sot në Elbasan me përfaqësuesit e biznesit prezantoi “Paqen Fiskale”. Rama tha se kjo paketë synon të krijojë një qasje të re në marrëdhënien mes administratës tatimore dhe sektorit privat, duke ofruar zgjidhje për detyrimet e prapambetura.
E pranishme në takim ishte dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e cila gjatë fjalës së saj tregoi tre pikat ku bazohet paketa “Paqja Fiskale”, të cilat janë:
-Tatimi i dakordësuar: Bizneset do të mund të lidhen me administratën tatimore për një periudhë trevjeçare, në bazë të së cilës do të përllogaritet një normë fikse tatimi mbi fitimin, në masën 15%. Fitimi shtesë mbi këtë nivel do të tatohet me 5%, ndërsa subjektet pjesëmarrëse do të përjashtohen nga kontrollet tatimore gjatë kësaj kohe.
-Rishikimi i bilanceve: Sipërmarrjet do të kenë të drejtën të rishikojnë pasqyrat financiare për pesë vitet e fundit. Për çdo diferencë të deklaruar, do të aplikohet një normë tatimore e reduktuar prej 5%, duke garantuar kështu mbylljen e detyrimeve të mëparshme pa penalitete të mëdha.
– Lehtësime për detyrimet e prapambetura: Paketa parashikon fshirjen e plotë të borxheve dhe kamatëvonesave për detyrime më të vjetra se 10 vjet. Për borxhet 5-10 vjeç, nëse shuma paguhet menjëherë, falet 50% e detyrimit; për pagesa me këste deri në 12 muaj, falen 25%. Bizneset me detyrime të 5 viteve të fundit do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatëvonesave, nëse shlyejnë shumën bazë.
Sipas saj, “Paqja Fiskale” është krijuar duke pasur parasysh sfidat që ka përballuar sipërmarrja në vitet e fundit, përfshirë krizën pandemike, tërmetin dhe rritjen e çmimeve globale.
“Synimi është të mbyllet një kapitull i vështirë për biznesin dhe të hapet një faqe e re bashkëpunimi, ku transparenca, korrektësia dhe besimi të jenë bazat e marrëdhënies mes shtetit dhe sipërmarrjes,” tha ajo.