Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të vazhdojë debatin me personazhin e rrjeteve sociale dhe simpatizantin e PD, Ilir Vrenozin. Në një reagim në facebook jo të zakonshëm, pa foto dhe video,
Rama ka zgjedhur të replikojë me qytetarin e Korçës i cili sot ishte prezent në takimin e Berishës në këtë qytet.
Rama thotë se Vrenozi është 1-shi i vërtetë i PD-së, pasi sipas tij ekzaltoi sallën më shumë se Berisha me sharjet ekstreme.
“Po pse kot e thashë unë që Vrenozi është 1-shi i vërtetë i PD-së! Shikojeni se si e shpërthen ai një sallë të tërë me sharjet e tij ekstreme e me thirrjet ndaj fantazisë erotike të audiencës fanatike, që ta kuptoni deri në fund se çfarë kënete është PD-ja!
Bufi as në ëndërr se kap dot më atë nivel ekzaltimi të turmës së habitatit të tij të lashtë. Për mua Vrenozit i takon kapelja e Bufit deri në 11 maj dhe pas 11 majit edhe froni i mbretit të kënetës” – shkruan Rama.
Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në Korçë, vetë Vrenozi nuk i kurseu epitetet ndaj kryeministrit. Ndërsa ky i fundit pak ditë më parë pranoi se e kishte telefonuar dhe ftuar mbështetësin e PD-së për nje kafe.
Banalizimi i fushatës me retorikë boshe, jo etike dhe me shumë banalitet dhe denigrim të kundërshtarit, janë karakteristikë e kësaj fushate e cila deri më tani ka treguar se palët janë të interesuara për audiencë dhe jo për shkëmbim idesh apo platformash elektorale