Ekspertët amerikanë nuk i kanë shkëputur në asnjë moment kontaktet me institucionet e reja të drejtësisë, por gjatë kësaj kohe u bë vetëm shqyrtimi nga ana e Washington-it për fondet e ndihmës së huaj që lidheshin në këtë rast edhe me Shqipërinë, ka mësuar Albanian Post duke cituar një burim të diplomacisë amerikane me dijeni për çështjen.
“Amerikanët nuk u larguan, kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me bashkëpunëtorët tanë në strukturat e drejtësisë, amerikanët janë këtu”, garantoi burimi diplomatik për AP-në duke kërkuar që të ruhet anonimiteti.
Përfaqësuesit amerikanë të Zyrës së Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit të Prokurorisë Jashtë Shtetit (OPDAT) u rikthyen në fund të muajit mars në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
“Disa programe që konsiderohen kritike për interesat kombëtare të SHBA-ve kanë rifilluar ndërkohë që rishikimi i ndihmës së huaj është ende duke u zhvilluar”, theksoi një zyrtar i Ambasadës amerikane për Albanian Post.
Ky ishte komenti i parë zyrtar nga Ambasada amerikane në Tiranë që nga rizgjedhja e Donald Trump duke i dhënë fund pretendimeve se ndihma amerikane për reformën në drejtësi në Shqipëri kishte përfunduar.
Ndërkohë që programet e tjera të ndihmës mbeten në shqyrtim deri në fund të muajit prill, mbështetja për institucionet e reja të drejtësisë ka rifilluar zyrtarisht.
Zyra e Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit të Prokurorisë Jashtë shtetit (OPDAT) është pjesë e Departamentit të Drejtësisë.
Ajo ofron këshilltarë ligjorë dhe mbështetje teknike për të ndihmuar në ndërtimin e institucioneve të sundimit të ligjit në vendet partnere.
Në Shqipëri, OPDAT-i ka bashkëpunuar ngushtë me SPAK-un për të trajnuar prokurorët dhe për të forcuar kapacitetet e tyre për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ekspertët paguhen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet linjës së ndihmës së huaj për forcimin e institucioneve dhe shtetit ligjor në Shqipëri.
Shtetet e Bashkuara kanë vijuar mbështetjen e vazhdueshme për SPAK-un, që nga krijimi i saj, nëpërmjet disa misioneve, si OPDAT, ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Trajnimit për Çështje të Krimit), DEA (Agjencia për Luftën kundër Drogës) dhe FBI (Byroja Federale e Hetimeve).
Albanian Post raportoi më parë se Pentagon-i gjithashtu ka zhbllokuar fondet për institucionet në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, duke përfshirë programet kibernetike, armatimin dhe aspekte teknike të përditshme në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen e vendit.